Nëse sot për të shkuar në plazh duhet të përgatitemi më herët, para viteve ’90 ishte shumë më e thjeshtë. Mjaftonte një trastë me bukë, djathë, domate dhe të kapje trenin. Plazhet më të njohura ishin ato të Durrësit dhe Vlorës, ndërkohë që Himara, Shëngjini dhe Velipoja kishin shumë pak turistë.

Jala, Dhërmiu apo destinacione të tjera që sot janë ndër më të vizituarat, në atë periudhë njiheshin vetëm nga banorët e zonës. Liqeni i Pogradecit ishte gjithashtu shumë i vizituar. Pas viteve ’90 plazhi u bë më masiv dhe destinacionet u shtuan. Për të treguar nostalgjinë e plazhit të para viteve ’90, ishin të ftuar në emisionin “Rudina” në Tv Klan gazetarja Fjodora Fjora, koreografi Arian Sukniqi dhe producentja Monika Lubonja.

“Kur vjen puna për të treguar historinë ne bëhemi si ato veteranët, të cilët tregojnë dhe të rinjtë nuk i besojnë. Stresi më i madh në atë kohë ishte t’iu thoshe prindërve, kur bëhej fjalë për të shkuar me shokët vetëm për një ditë. Nëse më linin, mamaja përgatiste bukën që do të merrja me vete, bukë me vaj, me djathë, domate dhe speca të skuqur. I vështirë ishte edhe treni ku bënte shumë vapë sepse kishte shumë njerëz. Treni ka qenë një tmerr i vërtetë. Plazhi kishte shumë pak çadra. Kur niseshe ishe i bardhë dhe kur ktheheshe ishe komplet i kuq dhe duhet të kaloje një natë i lyer me kos”, tregoi Sukniqi.

“Unë nuk kam bërë plazh njëditor në fakt. Mbaj mend që shkonim me familjarët. Mbaj mend atë periudhën që më fusnin nga dritarja e trenit për të zënë vende. Më kujtohen xhirot buzë detit. Ka qenë një argëtim i jashtëzakonshëm. Mbaj mend që babai im notonte dhe na sillte midhje që ne fëmijët t’i shikonim sepse në treg nuk ekzistonin”, tha Fjora.

“Udhëtimet njëditore në atë kohë mbaj mend që i organizonim me shokët e shkollës. Kishte raste kur merrnim me vete 1 arkë me rrush, sepse djathi me rrush në atë kohë preferohej shumë. Moment i tmerrshëm ishte kur treni ngadalësonte dhe ne duhej të zbrisnim në Shkozet dhe ne hidheshim. Me prindërit kam qenë gjithmonë në Durrës dhe e shijoja në maksimum. Kisha më shumë dëshirë të shkoja me shoqërinë se sa me prindërit, sepse me prindërit ishim më të kufizuar. Durrësi ka qenë edhe një vend ku jepej moda, shikoje rroba plazhi të bukura, por me gjithë atë rrëmujë që ka qenë askush nuk hidhte plehra vend e pa vend. Ka qenë shumë pastër. Në atë kohë kishte edhe qendër zëri, lajmërohej që kishte shfaqje ose kur dikush humbte i thërrisnin emrin”, tregoi Lubonja./tvklan.al