Me vendim gjykate për paratë e 3 fëmijë, institucioni e hedh në rrugë


Me vendim gjykate për paratë e 3 fëmijë, institucioni e hedh në rrugë

21:36 21/09/2023

Lidhur me problemin e zotit Dritan Gega, ish-drejtorit të shkollës që fitoi gjyqin, por nuk i ekzekutohet vendimi, “Stop” foli me Drejtorin e DRAP Lezhë, Hasan Muça dhe punonjësin e burimeve njerëzore, Pashk Alia, të cilët e interpretojnë sipas oreksit të vet vendimin e gjykatës.

Madje Alia tha se pranon të varet, nëse ky ekzekutim është i ligjshëm. “Stop” bisedoi edhe me përmbaruesin gjyqësor privat, i cili u shpreh, se vendimi duhet të ekzekutohet menjëherë.

Madje ai ka bërë dhe një kërkesë për masë administrative ndaj DRAP Lezhë, që nuk po ekzekuton vendimin e gjykatës.


Përmbaruesi: Ky është vendim me ekzekutim të përkohshëm, i cili duhet të ekzekutohet menjëherë. E ka përcaktuar gjykata dhe ata nuk kanë pasur asnjëherë pretendim të tillë. Ata i janë drejtuar gjykatës, që kanë kundërshtuar vendimin me ekzekutim të përkohshëm. Ata mund të kenë lloj-lloj pretendimesh, por është Gjykata ajo, që e përcakton. Asnjëherë nuk i kanë shfaqur tek ne këto lloj pretendimi. E ke tek pjesa e dispozitivit të përcaktuar, që është me ekzekutim të përkohshëm, duhet ta ekzekutojnë menjëherë.

Gazetarja: Ju i jeni drejtuar Gjykatës Administrative të Shkallës së Parë në datën 9 Shtator mos gaboj. A keni marrë ndonjë përgjigje?

Përmbaruesi: Kemi kërkuar të merret masë ndaj drejtuesit të institucionit, pasi ligji për Gjykatën Administrative, e përcakton, që gjykata, që e ka dhënë vendimin, merr masë ndaj drejtuesit të institucionit. Ai gjyqtar, që e ka dhënë vendimin për ekzekutim të përkohshëm, ai do marrë masë, nëse nuk ekzekutohet ky vendim.

Gazetarja: Nuk keni asnjë përgjigje?

Përmbaruesi: Akoma jo, nuk është marrë masë, se do na njoftonin.

Lidhur me këtë situatë avokatja Eda Grimçi thotë, se vendimi në fjalë është me ekzekutim të përkohshëm, pasi është titull ekzekutiv dhe duhet të ekzekutohet menjëherë.

“Nuk e kuptoj pse është krijuar ky keqkuptim për mos ekzekutimin e këtij vendimi. Gjykata ka qenë mjaft e qartë në dispozitivin, pra në interpretimin dhe vlerësimin që i ka bërë kërkesës së paditësit për vendimin me ekzekutim të përkohshëm. Neni 317 është ai nen ku përcakton dhe normon kërkimin për ekzekutim të përkohshëm. Konsiderohet si një vendim i ndërmjetëm nga gjykata dhe vendimet e ndërmjetme që jepen nga gjykata janë ekzekutueshme menjëherë dhe pavarësisht se janë të ankimueshme, ankimi i vendimeve nuk pezullon zbatimin dhe ekzekutimin e menjëhershëm të këtyre vendimeve”, tha avokatja./tvklan.al










Të ngjashme