Një 37-vjeçar nga Tirana është arrestuar pas hetimeve se transportonte emigrantë të paligjshëm. Mësohet se i riu më datë 23 Gusht kishte tentuar të transportonte 12 emigrantë të paligjshëm.

Autoritetet e lokalizuan makinën e tij tip “Ford” në Cangonj të Devollit dhe kur i bënë thirrje që të ndalonte, i riu nuk iu bind urdhrit të policëve, por u largua me shpejtësi.

Më pas, ai është paraqitur në komisariatin e policisë së Tiranës dhe ka bërë një kallëzim të rremë se i kishin vjedhur makinën tip “Ford” që kishte marrë me qira.

Bëhet e ditur se ai do të merrte 100 euro për person me premtimin se do t’i kalonte drejt vendeve të BE-së. Përveç veprës penale “Ndihma për kalim të paligjshëm të kufijve, kryer në bashkëpunim” ndaj të riut rëndojnë edhe dy akuza të tjera, “Mosbindja ndaj urdhrit të punonjësit të policisë së rendit publik”, “Kallëzimi i rremë”.

Policia njoftoi pak orë më vonë se në pranga ranë edhe dy persona të tjerë. Ata u kapën në Pogradec, duke transportuar në Tiranë me mjetet tip “Ford” dhe “Skoda” 17 emigrantë të paligjshëm, të cilëve kundrejt fitimit prej 2000 euro në total, iu kishin premtuar kalimin drejt vendeve të BE-së.

Arrestimet e tyre bëhen në kuadër të operacioni policor “Perimetri”.

/tvklan.al