Për iranianët, vrasja e Qassem Suleimanit, kreun e forcave famëkeqe të Iranit, Quds, ishte një dhimbje e madhe. Suleimani ishte një prej njerëzve më me influencë dhe më të pushtetshëm në Republikën Islamike të Iranit. Ai kishte më shumë influencë se Presidenti, fliste me të gjitha fraksionet e ndryshme dhe kishte një linjë të drejtpërdrejtë me liderin suprem.

Më e rëndësishmja, ai ishte popullor tek publiku i gjerë. Në një sondazh të realizuar në kohën kur lufta kundër Shtetit Islamik ishte ashpërsuar, rezultoi se 73 përqind e iranianëve kishin mendim pozitiv për të. Megjithatë, turmat masive që dolën nëpër rrugët e qyteteve në të gjithë vendin kaluan çdo parashikim. Në këtë sens, kjo shfaqje e unitetit nuk ishte surprizë. Irani, si çdo vend tjetër, është krenar, patriot dhe njerëzit e tij kanë tendencën që të lenë mënjanë diferencat kur përballen me një armik të jashtëm.

Suleimani mbikëqyrte politikat rajonale dhe për pasojë cilësohet si njeriu që e kaloi jetën duke mbrojtur vendin e tij. Kur ISIS iu afrua kufirit iranian, pasi kishte fituar territor në Irakun fqinj në vitin 2014, forcat Quds ishin në front, duke përfaqësuar të vetmin vend të gatshëm për të zbarkuar në terren në luftën për të shkatërruar grupin terrorist.

Teksa shumë në rajon e shikonin Suleimanin si një figurë le të themi të dyshimtë, një numër domethënës iranianësh, kurdësh e irakianësh, e shihnin si një njeri shumë të rëndësishëm për ndalimin e Shtetit Islamik.

Në shtëpi, popullariteti i tij pritej nga linjat politike. Të shndërruarit në një hero betejash është një mënyrë për të fituar legjitimitet, e provuar kjo si në vdekje, ashtu edhe në jetë. Vrasja e një prej zyrtarëve më të lartë të vendit, perceptohet nga iranianët si dhunim i sovranitetit të tyre.

Kjo nuk do të thotë se të gjithë iranianët i mbështesnin veprimet e Suleimanit jashtë vendit. Në fakt, prej vitesh njerëzit janë ankuar për shkallën e gjerë të shtrirjes të qeverisë përtej shtetit të tyre, edhe kur situata brenda shtetit u përkeqësua.

Në 2018-n, thirrje si “Jo Gazës, Jo Libanit, jap jetën për Iranin” dhe “Lëreni Sirinë dhe mendoni për ne” bënë jehonë (dhe jo për herë të parë) në protestat e zhvilluara në gjithë vendin.

Teksa kohët ekonomike kanë qenë të vështira për shkak të sanksioneve të ashpra, si para marrëveshjes bërthamore të 2015-s, ashtu edhe sot, iranianët e kanë të vështirë të kuptojnë përse udhëheqësit e tyre derdhin para në rajon dhe nuk i përdorin ato në Iran.

Njerëzit e zakonshëm vijojnë të shtrydhen nga fushata e “presionit maksimal” të Donald Trump, pa shpresë për përmirësim. Kjo, sëbashku me pakënaqësinë e përgjithshme, çoi në protesta masive në Nëntor të 2019-s. Këto e gjetën qeverinë të papërgatitur, por nuk e ndaluan që t’i shtypte me epërsi demonstratat dhe të ndalonte internetin në të gjithë vendin për 5 ditë. Kjo përgjigje, sigurisht shtoi edhe më shumë pakënaqësinë.

Megjithatë, vrasja e Suleimanit nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës, bëri që këto shqetësime të kalonin në plan të dytë. Iranianët zgjodhën që të bashkohen, deri në pikën që të mbështesin qeverinë e tyre, në mënyrë që t’i rezistojnë agresionit në rritje amerikan.

Dhe kjo do të thotë se, ndonëse humbja e Suleimanit është një goditje e fortë për Iranin, sulmi i SHBA-ve, në një sens, ishte dhuratë për qeverinë iraniane, e cila mund të mos e kishte ëndërruar kurrë se do të arrinte një unitet të tillë, në një kohë kaq të vështirë.

Vrasja pati gjithashtu ndikim në të bërit bashkë elitat e ndara, të paktën tani për tani. Figura drejtuese nga kampet konservative dhe reformiste folën në unison, nga lideri suprem, i cili u betua për “hakmarrje”, tek ish-kandidati presidencial dhe lideri i lëvizjes së Gjelbër, Mehdi Karroubi, i cili ndodhet ende nën arrest shtëpiak, e që mësohet se shprehu ngushëllimet e tija. Madje edhe ish-Ministri i Jashtëm i Iranit, Ardeshir Zahedi e përshkruajti Suleimanin si një “ushtar patriotik dhe të nderuar, i cili ishte bir i Iranit”.

Tërheqja e Shteteve të Bashkuara të Amerikës nga marrëveshja bërthamore i detyroi të moderuarit që të ashpërsonin pozicionet e tyre. Administrata e Rouhani-t për shembull, nuk mund ta mbështeste më në mënyrë aktive dialogun me Shtetet e Bashkuara të Amerikës, por bënte thirrje për bisedime me kushtin që sanksionet të hiqeshin më parë.

Sot, edhe ky pozicion është bërë i vështirë. Kush nga politika mund të rrezikojë pozicionin duke sugjeruar një riafrim me Shtetet e Bashkuara të Amerikës, pas asaj që ndodhi dhe mbi të gjitha në një nivel të tillë zie publike? Përgjigja është e thjeshtë: askush.

Me vrasjen e Suleimanit, Trump arriti atë që askush nga elita politike nuk e kishte menduar si të mundur: ai bashkoi një publik iranian të copëtuar, të lodhur dhe të dëshpëruar, në një show të vërtetë uniteti.

E teksa këto pamje janë shumë larg një qëndrimi pa ekuivok i mbështetjes për Republikën Islamike, ato janë një mesazh i qartë për botën: iranianët do të qëndrojnë krah qeverisë së tyre, përballë kërcënimeve të jashtme.

Burimi: The Guardian

Shqipëroi: Tvklan.al