“Janë të rëndësishme për Shqipërinë. Shpresoj të japë rezultat në Botëror”

Luiza Gega mori 3 medalje në Kampionatin Ballkanik të mbajtur në fundjavë në Serbi, të vetmet për Shqipërinë në këtë aktivitetet. Atletja shqiptare, e cila është edhe kampione Europe në fuqi në 3000 metra me pengesa thotë për Tv Klan se çdo sukses vlen për të dhe vendin.

“Çdo medalje vlen pasi nuk kemi në çdo moment Europian ose Botëror. Patjetër që qoftë medalje Ballkanike për një vend si Shqipëria vlejnë”, tha Gega.

Synimi i radhës për Luizën është një rezultat më i mirë në Kampionatin Botëror ku duket se edhe kampionia do të jetë një surprizë.

“Shpresoj të kem një rezultat më të mirë se viti i kaluar. Dy vajzat nga Etiopia që dolën në vendin e dytë dhe të tretë nuk kanë qenë në formë. Vajza që doli e para ka probleme me dopingun dhe nuk lejohet të garojnë derisa të ketë një vendim final. Vajzat e tjera janë aty-aty dhe është rrugë e hapur për top treshen e botës”, tha Gega.

Kampionati Botëror do të zhvillohet muajin e ardhshëm në Budapest me garën kualifikuese të 3000 metrave me pengesa që mbahet më 23 Gusht.

Tv Klan