Në Samitin e Forbes 2025 në Abu Dhabi ku ishin të ftuar personalitete të politikës, artit, shoqërisë civile, biznesit nga rreth 50 vende të botës ishte edhe bashkëshortja e Kryeministrit shqiptar, Linda Rama.

Kështu shkruan media amerikane MSNBC News, teksa i kushton një vëmendje të veçantë fjalës së zonjës Rama me gazetaren Mika Brzezinski në samitin global të Revistës Forbes që po mbahet në Abu Dhabi.

Gjate bisedës në samit, Linda Rama pasi ka shpjeguar situatën në kohën e komunizmit, theksoi se problemi më i madh që trashëgoi komunizmi nuk ishte varfëria, por traumat sociale qe ai shkaktoi në shoqërinë shqiptare.

“Mendoj se ishte trauma, sepse nëse ndryshohen rrethanat, mund të përballesh me varfërinë dhe mund të shfrytëzosh mundësitë për t’u rikuperuar. Pas kaosit dhe pasigurisë të vitit 1991 nga renia e sistemit komunist, mësimet më të mëdha i nxorrëm nga pësimet dhe të mësosh nga pësimet është e dhimbshme dhe e kushtueshme”, tha Linda Rama.

Nga Abu Dhabi, bashkëshortja e kryeministrit Rama nënvizoi se Shqipëria ka bërë progres në shumë drejtime dhe mbi të gjitha është vendi me rritjen e flukseve turistike më të mëdha në Europë.

 “Me të gjitha sfidat që janë para nesh, unë mendoj se ne sot jemi me fat sepse dimë shumë, duke qenë së bashku, duke ndarë vlerat, duke rezistuar dhe duke i bërë fëmijët tanë të aftë të përballojnë çfarëdo sfide që do të ishte përpara nesh. Në tranzicionin tonë nuk kemi qenë vetëm, bota demokratike ka qënë dhe është me ne. Shqiptarët dhe Shqipëria ja kanë dalë sot të ulen në tryezën e negociatave për anëtarësim në Bashkimin Europian. Nga ana tjeter, jemi vendi me rritjen më të madhe të turizmit në Europë. Vizitoni Shqipërinë. Nëse vini një herë, e dimë që do të na vizitoni përsëri”, tha Rama.

Revista amerikane Forbes e konsideron Linda Ramën si një zonjë të fortë në parimet e një shoqërie të hapur dhe një avokate të përkushtuar për të drejtat e njeriut, e sidomos për gratë dhe fëmijët në Shqipëri.

Klan News