Media e njohur gjermane e krahason me Maldivet, malet si të Zvicrës

“Këtu nuk janë Maldivet. Këtu nuk është Skocia apo Norvegjia, as Zvicra. Kjo është Shqipëria. Vendi që i ka të gjitha këto dhe më shumë se kaq. Një nga sekretet e ruajtura më mirë në Europë.”

Me këto fjalë e nis dokumentarin e saj rreth e rrotull Shqipërisë gazetarja e Dojçe Veles, Astrid Benolken. Ajo vë në dukje se për një kohë të gjatë Shqipëria nuk shihej me sy të mirë nga të huajt. Konsiderohej si një vend i varfër, i pazhvilluar dhe me kriminalitet. Por gjatë viteve të fundit, gjithnjë e më shumë turistë po vijnë në këtë vend. Astrid e nis nga kryeqyteti Tirana.

“Këtu takohet Shqipëria e Veriut me atë të Jugut, tradita me modernen, natyra me jetën e natës. Tirana është zemra e Shqipërisë, sheshi ”Skënderbej” ndodhet në qendër të saj. Pavarësisht jetës dinamike, shqiptarët gjithmonë gjejnë kohë për të pirë një kafe. Nuk është çudi pse nuk gjen një qytet tjetër në Europë me kaq shumë kafene për numër banorësh.”

Në ditët e sotme, ideja e pushimeve të lira tërheq shumë turistë në Shqipëri.

“Përgjatë viteve është gjithnjë e më thjeshtë për të ardhur këtu dhe për të shijuar detin dhe diellin pa shpenzuar më shumë para se të mban xhepi. Por rritja e turizmit gjithashtu ka ndryshuar edhe vendin.

Në dokumentar një vend të veçantë zë edhe veriu i Shqipërisë.

“Në veri një gjë e veçantë që mund të bësh është ecja dhe sportet e aventurës.“

Ndërsa udhëton buzë luginës së Valbonës, gazetarja e mbyll dokumentarin kështu:

Shqipëria i ka të gjitha. Natyrë të virgjër dhe qytete plot me gjallëri, male, plazhe, diell, dëborë.

Tv Klan