“Kultura, tradita dhe uji i kristaltë janë ato që duan turistët holandezë”

E radhës që i bën jehonë turizmit në Shqipëri është media holandeze “RTL Nieuës” e cila hapet me titullin kryesor; Destinacioni popullor i pushimeve në Shqipëri: ‘Holandezët duan një përvojë autentike’.

A do të jetë Franca, Spanja, Italia apo Shqipëria? Sipas agjencive të ndryshme turistike holandeze, Shqipëria po bëhet një destinacion gjithnjë e më popullor pushimesh. Që nga regjistrimet e reality showt me te famshem ‘Wie Is De Mol?’ vitin e kaluar, vendi ynë është aq i popullarizuar sa disa agjenci udhëtimesh janë mbushur plot me prenotime.

Shqipëria është një përvojë unike dhe destinacion i preferuar i turistëve nga Holanda dhe kërkesat për të vizituar Shqipërinë janë rritur me 50% më shumë sipas medias holandeze.

 “Reality show më i ndjekur në Holandë ‘Wie is de Mol?’ regjistrimet e të cilit u zhvilluan në destinacionet më të bukura të vendit tonë, ngjalli mjaft kuriozitet në sytë e publikut holandez, duke e kthyer Shqipërinë në një prej destinacioneve më të preferuara për t’u vizituar”.

Sipas medias “RTL Nieuës”, gjithnjë e më shumë turistët holandezë po kërkojnë diçka ndryshe nga destinacionet e zakonshme dhe duan një përvojë  autentike.

“Kultura, tradita, bujaria, mikpritja, uji  i kristaltë, ajri i pastër, Alpet e larta, kaltërsia e Adriatikut dhe Jonit, trashëgimitë kulturore të mbrojtura nga UNESCO si dhe kulinaria e pasur e kanë kthyer Shqipërinë në një prej destinacioneve më unike për t’u vizituar, një përvojë autentike jo vetëm për turistët holandeze, por për turistët nga e gjithë bota”, shkruhet ne artikull.

Shqipëria sipas prestigjiozit holandez “RTL Nieuës”, ka edhe një avantazh të madh për shkak të distancës jo të largët me avion nga Holanda.

Klan News