“E mbajti sekret për të mos humbur mbështetjen e skeptikëve të vaksinimit”

Donald Trump dhe bashkëshortja Melania mund të jenë vaksinuar kundër Covid-19ës që para se të largoheshin nga Shtëpia e Bardhë. Por këtë fakt e mbajtën të fshehtë për arsye ende të paqarta.

Lajmi bëhet i ditur nga media prestigjioze amerikane, kritike me administratën Trump, si CNN e New York Times.

Këto media shkruajnë se informacionin e kanë marrë nga një këshilltar i ish-Presidentit që preferon të mbetet anonim. Vetë Donald Trump nuk i ka hedhur poshtë deri më tani këto zëra.

Por në shfaqjen e tij të parë pas largimit nga Shtëpia e Bardhë në konferencën e veprimit politik të konservatorëve në Orlando të Floridas, ai u bëri thirrje mbështetësve të mos hezitojnë të vaksinohen, duke u treguar gjithashtu se gjatë injektimit nuk ndjehet asnjë dhimbje.

Sipas analizave të këtyre mediave, arsyeja pse Trump e ka mbajtur të fshehtë vaksinimin, teksa rivali i tij presidencial dhe udhëheqës të tjerë botërorë e kanë bërë publikisht, është se ai ka dashur të mos pësojë rënie të popullaritetit.

Shumica e mbështetësve të Trumpit janë skeptikë ndaj vaksinave dhe kanë parë tek ai figurën e liderit që i mbron nga mashtrimi i grupeve të mëdha të interesit, siç pretendojnë konspiracionistët.

Tv Klan