Vuan prej kohësh edhe nga leuçemia kronike

Infeksioni në mushkëri është shkaku pse Silvio Berluskoni u shtrua të mërkurën në repartin e terapisë intensive të spitalit San Rafale të Milanos. Kjo konfirmohet zyrtarisht në buletinin mjekësor të spitalit, ku thuhet se ish-kryeministri italian po i nënshtrohet një kure për të rikthyer në nivele normale oksigjenin në gjak.

Në deklaratën e nënshkruar nga drejtuesit e repartit thuhet po ashtu se 86-vjeçari vuan prej kohësh edhe nga leuçemia kronike.

Pikërisht kjo lloj leuçemie ka bërë që Berluskoni të përballet me infeksione të shpeshta, që janë bërë shkak për shtrimet e shumta në spitale gjatë muajve të fundit. Megjithatë, statistikat tregojnë se leuçemia akute është një prej formave më të shpeshta të leuçemisë që prek të moshuarit.

Gjithsesi, gjendja e ish-kryeministrit Italian mbetet e qëndrueshme. Familjarët e tij thanë për mediat se gjendja e tij po përmirësohet. Orët e fundit, Silvio Berluskoni komunikoi në telefon edhe me zyrtarë të lartë të partisë së tij “Forca Italia”, të cilëve u kërkoi angazhim maksimal në parlament, pasi siç është shprehur “Vendi ka nevojë për ta”.

Tv Klan