“Ministria e Jashtme të reagojë, ishte shtetase britanike”

Mediat britanike i kanë bërë jehonë ngjarjes tragjike të Potamit, ku 7-vjeçarja Jonada Avdia humbi jetën pasi u përplas nga skafi i drejtuar nga zyrtari i policisë Arjan Tase.

“Një vajzë e vogël britanike u vra teksa ndodhej për pushime në Shqipëri në mënyrë të tmerrshme nga përplasja me skafin që drejtohej nga një polic që ishte jashtë orarit të punës” – e nis kështu artikullin që pasqyron ngjarjen, e përditshmja britanike Mirror. “Jonada Avdia po notonte vetëm 4 metra larg bregut kur u godit nga skafi para syve të të pranishmëve të tmerruar” – vijon më tej shkrimi.

Mirror i jep rëndësi faktit se 7-vjeçarja është shtetase britanike, lindur dhe banuese në Londër së bashku me familjen e saj që ishte shpërngulur prej 2 dekadash në Britaninë e Madhe, duke u bërë qytetarë të këtij vendi. Për këtë arsye, në artikull kërkohet koment edhe nga zyra për çështjet e jashtme e qeverisë britanike që deri më tani nuk është prononcuar.  

Artikulli citon edhe një raport të Zyrës Europiane për Mbikqyrjen e Sigurisë dhe Kriminalitetit ku thuhet se shumë prej plazheve të zonës nuk kanë roje dhe mbikqyrje për ata që rrezikojnë jetën. Ngjarja ka ngjallur reagimin e qytetarëve që kërkojnë dorëheqjen e qeverisë – thuhet më tej në artikull.

Tv Klan