“Ministri Nikos Dendias do të takohet me udhëheqjen politike dhe shtetërore të Shqipërisë në një përpjekje për të përshpejtuar mundësinë e rifillimit të kontakteve për të delimituar zonat detare mes dy vendeve”. Kështu e nis e përditshmja greke Kathimerini lajmin e saj referuar vizitës që do të zhvillojë ditën e sotme, ministri grek në Tiranë.

Athina dëshiron që mosmarrëveshja të zgjidhet duke iu drejtuar Gjykatës Ndërkombëtare të Drejtësisë në Hagë në mënyrë që të anashkalojë humnerën kushtetuese që  është ngritur nga Shqipëria në vitin 2009, thuhet më tej në artikull. Kathimerini vazhdon më tej duke thënë se fakti që Gjykata Kushtetuese nuk funksionon ende në Shqipëri e bën edhe më të dukshëm ngërçin.

Gjykata Kushtetuese në Shqipëri është një “pikë e zezë” në performancën e ligjit”, shkruan Kathimerini, ku shton se Europa po ushtron presion për ngritjen sa më parë të saj.

Media greke nënvizon se në rast të një marrëveshje politike pas ankimimit në Gjykatën e Hagës, pala helene nuk e ka problem nënshkrimin e një marrëveshje të përbashkët. Por pyetja në këtë rast është nëse Tirana zyrtare do të bëjë të njëjtën gjë.

Kathimerini ndalet edhe tek ndikimi turk. Ata kujtojnë deklaratën e kryeministrit Edi Rama në Athinë ku mohoi pretendimet e ish-kryeministrit Sali Berisha për presione nga Turqia që të ndalonte Tiranën që të binte dakord për zonat detare me Greqinë.

“Është e qartë që Ankaraja nuk do të Greqia të zgjidhë një çështje tjetër me një vend fqinj”.

Athina ka vërejtur disa iniciative shqetësuese turke në Shqipëri. Sipas tyre e tillë është edhe përdorimi një pjese të portit të Vlorës për përdorimin e marinës turke. Zgjidhja e marrëveshjes detare edhe me Shqipërinë do ta bënte Athinën zyrtare që të kishte zgjidhje me të gjitha vendet fqinje, përveç Turqisë./tvklan.al