“Turistët tërhiqen nga plazhet dhe çmimet më të ulëta

Shqipëria është kthyer shpejtë në një nga destinacionet më të njohura dhe më të kërkuara për verën e vitit 2023. “Il Giornale di Brescia” në një shkrim kushtuar këtij fenomeni shkruan se edhe banorët e kësaj zone kanë vendosur të bëhen pjesë e valës së turizmit drejt vendit të shqiponjave këtë Gusht.

Destinacioni kryesor sipas saj mbetet deti shqiptar.

Edhe pse 360 kilometra vijë bregdetare nuk janë shumë në krahasim me Italinë, gazeta nënvizon se shumë italianë janë të intriguar nga brendësia, historia dhe kultura shqiptare.

“Il Giornale di Brescia” shkruan se shqiptarët janë sulmuar shpesh në mediat italiane.

Madje edhe së fundmi se ka probleme në shërbime dhe sepse Shqipëria nuk është mësuar të menaxhojë kaq shumë turistë për njëherë. Por megjithatë interesi i italianëve vijon të rritet.  Këtë e konfirmojnë përfaqësues të agjencive turistike të cilët thonë se gjatë muajit Gusht kanë kërkesa të shtuara për pushimet në Shqipëri.

Një prej përfaqësuesve të këtyre agjencive thotë se Shqipëria ka bërë një fushatë mjaft të mirë marketingu duke reklamuar plazhet e paparekura dhe çmimet e favorshme.

Një nga pikat e forta të Shqipërisë është kostoja e ulët thuhet në shkrim, por nënvizon se kjo gjë nuk është gjithmonë e vërtetë, sepse varet shumë nga shërbimet që kërkon.  

Fluksin turistik e konfirmon edhe Bashkim Hyka një guidë shqiptare që organizon ture dhe mirëpret turistët italianë pasi menaxhon një kamping. Ai thotë se nga 40 të huaj që kishte zakonisht, tani ka rreth 4 herë më shumë pasi Shqipëria është kthyer në modën e momentit.

Artikulli në fund mbyllet me sfidën që e pret Shqipërinë për të menaxhuar flukset e larta të turistëve dhe sfidat në vitin e ardhshëm.

Klan News