Mister fati i 45-vjeçarit, baba i 4 fëmijëve
“Prej 10 ditësh për të nuk ka asnjë informacion. U zhduk në Shqipëri në rrethana ende të paqarta. Kishte marrë me qira një makinë në Aeroportin e Rinasit, që u gjet e djegur në Pukë. Brenda saj u gjetën sende në pronësi të tij, ndoshta edhe të pjesë trupi, por ende të paidentifikuara”.
Kështu shkruan e përditshmja italiane La Nazione, por edhe shumë media të tjera në vendin fqinj, të cilat kanë dhënë alarmin për zhdukjen e një sipërmarrësi italian në vendin tonë. Bëhet fjalë për 45-vjeçarin Davide Pecorelli, pronar i një hoteli në Lama, komuna e San Giustino, qendrave estetike dhe parukeri në Altotevere dhe Valtiberina. Në Sansepolcro, 45-vjeçari kishte themeluar një prej dyqaneve e “Parrucchieri Milano”. Por në Arentino, Pecorelli thonë mediat italiane, njihej edhe si ish-arbitër për një ekip të Arezzos në Serie C dhe dikur kishte qenë edhe pjesë e Serie A.
La Nazione shkruan se për fatin e tij, si autoritetet lokale të Arezzo-s, ashtu edhe ato shqiptare, janë shumë të rezervuara.
Prej rreth një viti, sipërmarrësi italian kishte nisur një aktivitet, që lidhej gjithnjë me dyqanet e tij, në zonën e Tiranës. Ai mësohet se edhe partneren e ka shqiptare, me të cilën më pak se një vit më parë u bë edhe me fëmijë. Pecorelli është gjithashtu baba i 3 fëmijëve të tjerë, nga një martesë e mëparshme.
Por çfarë dihet deri më tani për fatin e tij? Davide Pecorelli mbërriti në Tiranë ditët e para të vitit. Në aeroport, ai mori me qira një makinë Skoda Fabia, që u gjet më 7 Janar e shkrumbuar përgjatë rrugës Gjegjan-Reps në Pukë. Shkaqet e zjarrit nuk dihen ende.
Gjithnjë sipas La Nazione, nga ky moment nisën menjëherë kërkimet për Pecorelli-n, ndërsa ambasada shqiptare në Tiranë njoftoi të afërmit e tij dhe autoritetet policore. “Gjatë këtyre ditëve, në Tiranë janë sjellë edhe objekte të tjera në pronësi të sipërmarrësit, për të krahasuar ADN-në e tij, ndonëse nuk është ende e qartë nëse makinë janë gjetur pjesë njeriu”, shkruan La Nazione.
Sigurisht nuk përjashtohet edhe mundësia që Davide Pecorelli mund të ketë vendosur që të zhduket vetë, pasi mund të ndihej i kërcënuar. Gjithsesi deri më tani fati i sipërmarrësit italian mbetet i panjohur dhe mediat italiane theksojnë se autoritetet po presin testin e ADN-së./tvklan.al