Nëse Kosova anëtarësohet në INTERPOL, në listën e personave ndaj të cilëve do të lëshojë urdhërarrest Kosova do të gjendet ish-shefi i Shtabit të Përgjithshëm të Ushtrisë Serbe, gjenerali Lubisha Dikoviç, kështu citon gazeta

“Blic”.

Duke cituar burime diplomatike nga Prishtina, gazeta serbe thotë se emri i gjeneralit Dikoviç është përmendur edhe më parë.

Ai ngarkohet me përgjegjësi për krimet e kryera gjatë luftës në zonën e përgjegjësisë së Brigadës 37 të motorizuar, e cila atëherë ishte nën komandën e gjeneralit Dikoviç.

Sipas gazetës serbe, në listën e personave ndaj të cilëve do të ngrihet urdhërarrest nga INTERPOL-i do të jenë edhe zyrtarë policorë të niveleve më të ulëta, por jo vetëm ata.

“Autoritetet e Prishtinës synojnë të ndjekin edhe civilët serbë, për të cilët pohojnë se kanë marrë pjesë në njësitë paraushtarake. Dyshohet se të paktën 50 serbë në këtë bazë mund të gjenden në listën e atyre që do të lëshohet urdhërarrest ndërkombëtar”

.

Asambleja e Përgjithshme e INTERPOL-it mbahet në Dubai dhe fillon sot dhe do të zgjasë deri më 21 Nëntor. Për anëtarësimin e Kosovës në këtë organizatë do të vendoset të martën, më 20 Nëntor./KlanKosova