Nga Partia Demokratike, ishte vetëm nënkryetari Edmond Spaho ai që reagoi për kërkesën e Fatmir Mediut që Basha të tërheqë ministrat teknikë për të mos e bërë opozitën më shumë qesharake.

Numri dy i demokratëve e quajti të pakuptimtë kërkesën, por kryerepublikani i ka renditur 10 arsye përse Basha duhet t’i tërheqë teknikët që ka ende në qeverinë Rama, ndër më kryesorin, faktin që Rama nuk e ka mbledhur asnjëherë qeverinë me ministrat teknikë.

“Në një marrëdhënie të tillë çdo ministër minimalisht jep dorëheqjen, i cili është një akt personal me fuqi juridike.

Në këto kushte ku Rama nuk pranon ministrat, më e pakta që mund të bëjmë ne si opozitë është të largohemi nga kjo qeveri, sepse ajo nuk ekziston dhe ka vetëm një njeri që urdhëron dhe merr vendime, timonieri Rama dhe takimet e tij gjuhë më gjuhë me popullin”,

shkruan Mediu.

Rama ka deklaruar publikisht që ministrat teknikë duhet të ikin, dhe ai nuk pranon asnjë marrëdhënie me ta. Pse duhet të presim shtatorin dhe të mosveprojmë menjëherë për t’u larguar nga një qeveri dhe kryeministër që ka manipuluar zgjedhjet.

Mediu thotë se marrëveshja që çoi ministrat e opozitës në qeveri nuk e arriti qëllimin e saj, pasi Rama dhe ministrat e tij e kanë bojkotuar Task-Forcën për zgjedhjet, ndërsa administrata u përfshi gjerësisht në fushatë.

Rama nuk ju përmbajt asnjë angazhimi për të garantuar zgjedhje të lira dhe të ndershme dhe në asnjë rast nuk bashkëpunoi me ministrat teknik edhe pse e kishte dhe e ka detyrë ligjore dhe kushtetuese. Pra legjitimitetin e kësaj qeverie dhe funksionimin ligjor ja ka hequr vetë Rama dhe nuk mund t’ia mbajë opozita me ministrat teknikë, po ashtu argumentin politik e ka rrëzuar procesi zgjedhor dhe raporti paraprak i OSBE/ODHIR”

, thekson kreu i Partisë Republikane.

Argumentit të dhënë nga Partia Demokratike se ministrat duhet të qëndrojnë në detyre deri ne hartimin e raportit për zgjedhjet, Mediu i përgjigjet duke thënë se raporti duhet të përgatitet zonë për zonë elektorale, me fakte dhe jo thjesht nga zyrat e ministrave teknikë. TV KLAN