Ish-ministri paraqet dokumentin në Gjykatën e Posacme
3 nga 7 dëshmitarët e kërkuar nga SPAK për dosjen “Gërdeci” kanë dëshmuar këtë të enjte në procesin që po zhvillohet ndaj ish-ministrit të Mbrojtjes, Fatmir Mediu.
Konkretisht dëshmuan ish-ministri i Drejtësisë Aldo Bumçi, ish-sekretarja e kësaj ministrie Alma Zifla dhe ish-këshilltari ligjor i Fatmir Mediut, Plarent Ruka.
Pas seancës së zhvilluar vetë ish ministri, Mediu deklaroi se ka treguar në gjykatë një shkresë ku kishte kërkuar të ndiqeshin penalisht ata që po ndërtonin pa leje në Gërdec.
“Nuk ka pasur asnjë reklamim tek ministri i Mbrojtjes për çështjen apo për problemet që mund të kishte në Gërdec. Vura në dispozicion sot edhe një dokument të Policisë Ushtarake që para se të kishte filluar ky demontim, kishte filluar punimet kompania për të prishur objektet në mënyrë të paligjshme. Qëndrimi im ka qenë i prerë dhe urdhërues që duhej të procedoheshin penalisht dhe administravisht të gjithë ata që kishin shkelur ligjin.”
Po këtë të enjte ishte programuar për të dëshmuar lidhur me këtë proces dhe Shkëlzen Berisha, djali i ish-kryeministrit Sali Berisha, por në seancë u relatua se nuk është lajmëruar për shkak se ka ndërruar adressë banimi.
Lidhur me këtë fakt, ka reaguar vetë Shkëlzen Berisha i cili përmes një statusi në Facebook, është shprehur se atij nuk i ka ardhur asnjë njoftim, në adresën e saktë dhe numrin e telefonit që i ka vënë në dispozicion SPAK. Më tej, ai shton se është i gatshëm në çdo kohë të paraqitet në prokurori sapo të marrë njoftim.
Tv Klan