“Basha të sqarojë si duhet të funksionojë koalicioni”

Propozimin e sjellë nga maxhoranca në tryezën e Këshillit Politik për listat e deputeteve, Kryetari i Partisë Republikane Fatmir Mediu e cilëson në thelb kundër Kushtetutës, e cila u ndryshua me qëllimin për t’i hapur listat. Ai e sheh si një manovër të Kryeministrit Rama për të shmangur çdo bashkim të qytetarëve dhe opozitës në një koalicion.

Mediu është i mendimit se në tryezën e Këshillit, opozita nuk duhet të mjaftohet vetëm me kërkesën drejtuar OSBE/ODIHR-it, por duhet të shkojë edhe me një draft të sajin.

E kur flet për draft, nuk përjashton as propozimin e bërë pak ditë më parë nga Lulzim Basha, për hapjen e listave 100% dhe renditjen e kandidatëve sipas rendit alfabetik, por më parë thotë se një sugjerim i tillë duhet të diskutohet edhe me aleatët.

Në kampin opozitar nuk ka ende një formulë për daljen e partive në koalicione, por Mediu sugjeron se nevojitet një platformë bashkëqeverisjeje e qartë.

Mediu thotë se Kryeministri po mundohet t’i imponohet opozitës me të njëjtën formulë si ajo në zgjedhjet e vitit 2017, ndaj i sugjeron Partisë Demokratike që të reflektojë për mënyrën e ndërtimit të koalicioneve në garën e 25 Prillit.

Tv Klan