“Dalim më vete, nëse nuk arrihet marrëveshja”

Peshën elektorale të Partisë Republikane, Fatmir Mediu thotë se e përcakton historiku i votave në zgjedhjet e 2005, 2009 dhe 2013. Ndonëse ende pa një firmë të hedhur në marrëveshjen me Partinë Demokratike, kryerepublikani kërkon që grupi i negociatorëve në selinë blu të vlerësojë çdo kandidat potencial të republikanëve, që votat i përkthen në fitore të opozitës në zgjedhjet e 25 Prillit.

“Ne mund t’i referohemi çdo lloj rezultati elektoral, si të Partisë Demokratike dhe të Partisë Republikane dhe partive të tjera, për të përcaktuar se ku është pasha elektorale e Partisë Republikane, ku është pasha elektorale e Partisë Demokratike, si është shtrirja gjeografike e votave të Partisë Republikane, dhe në të gjitha qarqet, se ku e ka vendin Partia Republikane, në renditjen e kandidatëve”.

Fitoren e të djathtës e sheh të lidhur ngushtë me funksionimin e koalicionit opozitar, por në mungesë të një marrëveshje me Lulzim Bashën thotë se është i përgatitur për të dalë në zgjedhje me ekipin e tij të kandidatëve.

“Ne do të vazhdojmë aktivitetet nëpër rrethe dhe deklarimin e kandidatëvetë Partisë Republikane dhe e them edhe njëherë, jo në dëm të koalicionit, jo në dëm të marrëdhënieve, por në shërbim të marrëdhënieve, por edhe për të qenë të përgatitur në rast të fundit, në qoftë se ne do të na duhet të dalim vetëm si Parti Republikane, gjë të cilën nuk e uroj asnjëherë”.

Ambicia e Fatmir Mediut për të marrë më shumë se një kandidat të sigurtë në listën fituesve të Partisë Demokratike, duket se nuk është pranuar nga selia blu, pavarësisht pretendimit të kryerepublikanit për historikun e lartë të votave të përkthyera në mandate deputetësh që kjo forcë politike ka siguruar ndër zgjedhje.

Tv Klan