“Vrau ëndrrën europiane. Do e bëjmë realitet në mandatin e parë qeverisës”

Përpara të rinjve të aktivit të Partisë Republikane në Tiranë, Fatmir Mediu akuzoi Kryeministrin Rama se në 8 vite qeverisje u mor peng nga krimi, duke e bërë Europën një ëndërr të largët për shqiptarët.

“Kur Rama erdhi në pushtet, Shqipëria ishte vend anëtar i NATO-s falë lidershipit të z.Berisha dhe angazhimit të të gjithë qeverisë për të luftuar krimin dhe falë reformave ekonomike dhe institucionale. Po ashtu, kishin arritur liberalizimin e vizave me BE. Ndërsa Rama mohoi dhe shkatërroi çdo gjë, duke bërë që Europa të jetë një ëndërr e largët dhe pushteti i shqiptarëve, u mor peng nga krimi dhe korrupsioni”.

E vetmja rrugë, sipas kryerepublikanit, është largimi i Edi Ramës nga pushteti në 25 Prill dhe ndezja e dritës jeshile nga qeveria e djathtë për përmbushjen e aspiratës së shqiptarëve.

“Brenda mandatit të parë të qeverisë ne duhet të bëjmë Shqipërinë vend anëtar të BE-së”.

Sipas Mediut, e djathta duhet të rindërtojë besimin, duke garantuar pjesëmarrjen reale të vlerave politike dhe njerëzore të historisë së saj edhe sidomos rinisë, e cila duhet të ndërtojë shtetin europian me një platformë të qartë dhe me pjesëmarrje në parlament e qeveri.

Tv Klan