273 persona u arrestuan gjatë 24 orëve në të gjithë Shqipëri, të dyshuar si shpërndarës të lëndëve narkotike të llojeve të ndryshme. Operacioni Tempulli 2 u fokusua kryesisht në zonat pranë shkollave pasi objektivi i shpërndarësve ishin adoleshentët. Në një komunikim për mediat, kreu i Policisë së Shtetit, Muhamet Rrumbullaku tregoi rezultatet e operacionit.
“Janë marrë 295 urdhra ndalimi dhe vendime arresti, si dhe 306 vendime kontrolli. 273 te arrestuar, janë sekuestruar një sërë provash materiale që dëshmojnë aktivitetin e tyre kriminal”.
Ndërsa Ministri i Brendshëm, Taulant Balla tha se operacioni nuk është dekonspiruar.
“Paketa e sigurisë në shkolla do të kthehet e do të forcohet me ligj. Dhe çdo lloj vepre kriminale që ndodh pranë shkollave, prandaj ne sot jemi këtu, dhe pikërisht bindja jonë se duhet ta forcojmë zbatimin e paketës së sigurisë në shkolla, me ligj”.
Gjatë operacionit janë sekuestruar përveç dozave të shumta të lëndëve narkotike, të kokainës dhe kanabisit edhe armë zjarri të shumta.
Tv Klan