52 urdhër arreste u lëshuan nga autoritetet shqiptare dhe ato italiane, në kuadër të një hetimi të përbashkët, për goditjen e trafikut ndërkombëtar të drogës mes dy vendeve por jo vetëm.

“Është arritur të jepet një goditje e rëndësishme një prej grupeve kriminale më të fuqishme në Shqipëri, për të cilin ka dyshime të forta se ishte i përfshirë në trafikun ndërkombëtar të drogave të forta dhe në pastrimin e parave”, tha Dumani.

Operacioni mes autoriteteve shqiptare dhe italiane u krye në bashkëpunim të ngushtë mes SPAK, Drejtorisë Hetimore Antimafia të Barit dhe autoritetet shqiptare, me ndihmën e Interpolit dhe Eurojust-it.

Për hetimin e zhvilluar, SPAK tha se ka patur takime dhe me përfaqësues të DEA Amerikane, teksa shtoi se operacioni është kordinuar dhe me të dhënat e përftuara nga zbërthimi i platformave të komunikimit si SKY dhe Encrochat.

Konkretisht në vendin tonë u lëshuan 29 masa sigurie, ndërsa 22 të tjera në shtetin italian, ndërkohë për një shtetas tjetër ka urdhër ndalimi nga Prokuroria e Posaçme.

“Ne kemi parë që ka pasur një organizim të mirëfilltë të grupit kriminal, që kishte aktivitet kriminal në vendet e Amerikës Latine, në drejtim të Europës, apo në Itali”, tha Mara.

Mes personave të arrestuar janë dhe punonjës policie, avokat, pronarë biznesesh si dhe zyrtarë të tjerë.

Këta persona janë përfshirë në veprimatri kriminale, që është zbuluar nga spak gjatë hetimit të grupit të trafikut të drogës.

Për këtë grup, që si bazë kishte qytetin e Durrësit, janë dokumentuar dhe 40 raste të trafikut të drogës, gjatë viteve 2020-2025, drejt Italisë, Shqipërisë dhe vendeve të BE. Ndërsa vlera totale e transaksioneve të drogave të dokumentuara arrin në 4.5 milionë euro.

“Pra është dokumentuar i gjithë cikli i lëvizjes së lëndës narkotike nga vendet e origjinës në drejtim të Shqipërisë e vendet e tjera të Europës”, tha Mara.

Por si hynin në Shqipëri, paratë e përftuara nga trafiku i drogës, prokurori italian Ettore CARDINALI, tregoi më tepër detaje nga hetimi.

“Për sa i përket flukseve të parave kemi arritur bashkë të vëzhgojmë dhe filmojmë kur personat nga Italia ia besonin paratë agjencive të transportit që vinin në Shqipëri. Edhe ky aktivitet, për eleminimin e vështirësive në kufi ka lejuar të kryheshin lokalizime me GPS dhe vëzhgime transkufitare. Fluksi i parave është kuptuar nga të dhënat e chateve në fotografitë në celular kishte përveç lëndëve narkotike edhe para. Kishte edhe letra të shkruara me dorë të të dhënave financiare të grupit”, tha Cardinali.

Këto para të përfituar nga aktiviteti kriminal, sipas hetimeve vinin në Shqipëri e më pas pastroheshin përmes investimeve.

Nisur nga këto dyshime në vendin tonë u sekuestruan 3 restorante në Durrës, 1 bar-kafe, 6 shoqëri tregtare dhe 1 televizion në qytetin e Vlorës në pronësi të personave të arrestuar, apo shpallur në kërkim.

Ndërkohë në Itali janë sekuestruar 9 apartamente, 7 llogari bankare dhe 4 kompani private.

Gjithashtu, SPAK thotë se është dokumentuar edhe transferimi i mbi 500 mijë dollarëve nga Shqipëria drejt Amerikës Latine, si parapagim për një sasi prej 500 kg kokaine që do të nisej nga Guayaquil, Ekuador.

Tv Klan