Megi Pojani, e ftuar krah dy motrave të saj në emisionin ‘Rudina”, në Tv Klan, foli këtë të martë edhe për përfundimin e bashkëpunimit me “Anabel Entertainment”.

Pojani tha se është një njeri që di të thotë faleminderit dhe se të ardhmen e saj e shikon në televizion.

Rudina: Tani unë do të të pyes, sepse është e pashmangshme, koleget e tua kanë bërë nga një deklaratë publike që janë larguar nga “Anabel”, si është e vërteta? A mund të dimë diçka nga ty? Çfarë ka ndodhur?

Megi Pojani: Unë di të them që nuk jam më pjesë. Kur njeriu di më mirë, bën më mirë. Dhe unë nuk dua ta komentoj më gjatë, thjesht dua të vazhdoj të bëj punën time.

Rudina: Pra nuk je pjesë e prodhimeve kinematografike?

Megi Pojani: Jo. E asnjë prodhimi që mban vulën e asaj kompanie.

Rudina: Kështu që edhe për ato vlen e njëjta gjë, të cilën e kanë bërë publike. Por për sa kohë ka qenë, besoj se ka qenë një përfitim reciprok apo jo, ti je bërë një personazh shumë i njohur publik, gjithashtu prodhimet kanë pasur suksese nga ana tjetër.

Megi Pojani: Unë jam një njeri që jam shumë mirënjohëse dhe di të them faleminderit. Nuk jam personi që di të them, unë bëra, apo mua më bënë. Megjithatë unë e di që kudo që të jem, edhe në rrugë të dal tani, unë do ta bëj gjënë time dhe do ta bëj po aq mirë dhe njerëzit do ta pëlqejnë.

Rudina: Të vjen keq që nuk je më, që u bë kjo zgjedhje, u mor ky vendim?

Megi Pojani: Çdo gjë në jetë ka fazat e veta, kishte ardhur momenti.

Rudina: Kështu që do të bësh diçka të re tashmë? Çfarë ke në plan, çfarë do të të pëlqente?

Megi Pojani: Epo tani, projekte, projekte…

Rudina: Të pëlqen televizioni?

Megi Pojani: Po, më pëlqen televizioni. Unë e shikoj veten në televizion.

Rudina: Do doje të ishe një prezantuese televizive?

Megi Pojani: Po, por kam gjërat e mia në mendje, të jem brenda natyrës sime, brenda profilit tim. /tvklan.al