Në procedurën e hapur nga qeveria për të dhënë me koncesion për 35 vjet aeroportin e Kukësit është paraqitur një ofertë e vetme nga një bashkim shoqërish shqiptare: “Global Technical Mechanics dhe Bami shpk”.

Të dy kompanitë në pronësi të Ridgers Memës dhe Besnik Bamit kanë shprehur interes për të investuar 8 milionë Euro në këtë aeroport, ndërsa kanë marrëveshje me firmën hollandeze NACO, e cila do t’i mbështesë në menaxhimin dhe administrimin e aeroporteve.

Komisioni i Vlerësimit të Ofertave do të vendosë në fund të muajit nëse kjo kërkesë e vetme do të jetë edhe fituesja që do të verë më pas në operim aeroportin e Kukësit.

Në Korrik ishte konsorciumi “Kastrati” & T.M.D Systems LTD” që dorëzoi në qeveri një ofertë të pakërkuar për të përfunduar punimet dhe për të vënë në operim aeroportin, ku dhe u shpërblye me 8% të pikëve bonus në garë. Por burime zyrtare nga Ministria e Infrastrukturës dhe Energjisë i thanë televizionit Klan se kjo shoqëri nuk ka paraqitur ofertë në tender.

Të gjithë shtesat dhe parametrat e aeroportit të ri do të realizohen për ta përshtatur atë me standardet low cost, çka pritet që të ulë ndjeshëm koston e transportit ajror në Shqipëri, ku çmimet e biletave janë ndër më të lartat në rajon. Avionët që do të operojnë do të kenë kapacitet 180-189 vende, si Airbus 319 dhe 320.

Nëse procedurat do të bëhen brenda afatit ligjor, aeroporti i Kukësit mund të jetë gati për të nisur fluturimet në fillim të vitit 2020. Ndërkohë qeveria është në negociata për të ndërtuar edhe një aeroport në Vlorë dhe një tjetër në Sarandë.

Tv Klan