Arkiva Lajme – Tv Klan 1999

SHBA bëhet garant për sigurinë kombëtare të vendit tonë dhe përballimin e krizës humanitare të të ardhurve nga Kosova. Presidenti i Shqipërisë ka zhvilluar një takim me Sekretaren Amerikane të Shtetit Medlin Ollbrajt gjatë vizitës së tij në Uashington për festimet e 50 vjetorit të Aleancës së Atlantikut Verior.

Numri një i diplomacisë amerikane e ka siguruar Mejdanin se Nato dhe të gjitha vendet aleate japin një siguri të fuqishmë për Shqipërinë, integritetin e saj territorial dhe sovranitetin. Ollbrajt i ka deklaruar kreut të shtetit vlerësimet për shqiptarët në përpjekjet e tyre për të siguruar kushte pritje për refugjatët e ardhur nga Kosova.

Në samitin e Natos do të diskutohet mundësia për zgjerimin e aleancës, krijimin e rajoneve dhe zonave të sigurisë në Ballkan, sidomos në pjesën jugore të tij, i deklaroi sekretarja amerikane Mejdanit.

Presidenti shqiptar është takuar sot edhe me lobin kongresist shqiptaro-amerikanë, si dhe në takim me Ollbrajt, Mejdani diskutoi me to rreth opsioneve për zgjidhjen e çështjes së Kosovës. Në takimin me kongresmenët amerikanë është trajtuar në mënyrë të veçantë çështja e ndërhyrjes së trupave tokësore të Natos në Kosovë./tvklan.al

Gazetare – Holta Zhiti