Vijon prej 4 ditësh operacioni i kërkimit

10 minatorë janë bllokuar nën tokë për më shumë se 4 ditë në Kaohila të Meksikës. Autoritetet kanë organizuar një operacion masiv ku janë përfshirë më shumë se 300 ushtarë dhe personel tjetër që u janë bashkuar përpjekjeve të shpëtimit.

Minatorët për nxjerrjen e qymyrit u bllokuan të mërkurën pasdite kur gërmimet shkaktoi shembjen e murit të një tuneli, duke shkaktuar përmbytje në tre puse.

Nga miniera u arrit të nxirreshin fillimisht vetëm 5 minatorë. Pompa të mëdha janë vënë në përdorim për të thithur ujin, por situata mbetet ende e rrezikshme.

Në vendin e ngjarjes kanë shkuar edhe 6 zhytës nga Forcat Speciale meksikane. Edhe me largimin e ujit duket e vështirë ndërhyrja pasi ato janë të mbushura me inerte dhe baltë. 

Miniera e qymyrit u hap në janar dhe nuk kishte të dhëna për ndonjë anomali në funksionimin e saj sipas raportimit të zyrtarëve të ministrisë meksikane së punës. Jashtë minierës janë grumbulluar familjarë të shumtë që shpresojnë që minatorët të jenë ende të gjallë.

Tv Klan