Grupi lider i resorteve vjen në Tiranë, Durrës, Berat e Dhërmi

Grupi më i madh spanjoll i resorteve të pushimeve, Melia Hotels International, një nga më të rëndësishmit në botë, prej katër vitesh ka sjellë në Shqipëri disa nga strukturat më madhështore të turizmit.

Melia San Pietro Hotel & Resort, në Gjirin e Lalzit, Sol Tropical Resort në Durrës dhe Gran Melia Tirana, janë vetëm disa nga projektet e para.

Së shpejti Melia vjen edhe me 7 struktura të tjera hoteliere.

CEO-i kompanisë Gabriel Escarrer Jaume, në një intervistë për median e shkruar shqiptare, e cilëson Shqipërinë si destinacioni i fundit i pazbuluar i pushimeve në Evropë dhe një mundësi të mirë investimi.

“Ne gjithmonë kemi pasur prioritet rritjen në destinacionet kryesore të pushimeve Njerëzit janë të afërt, të dashur dhe fisnikë, dhe kjo është gjithashtu shumë e rëndësishme për të ndërtuar një industri turistike solide. Do të doja të thoja se ne besojmë në potencialin dhe atributet e Shqipërisë për t’u bërë një destinacion kryesor në Mesdhe”.

Pas disa investimeve në suksesshme në Shqipëri, Melia do të vijë me 7 struktura të reja hoteliere: 2 hotele “Affiliate të Melias”, në Berat dhe Tiranë, 1 hotel Melia Collection në Dhërmi, 2 hotele Sol, në Durrës dhe në plazhin e Karpenit, 1 Meliá në Durrës dhe 1 Gran Melia në Tiranë.

“Ne jemi padyshim të interesuar të zgjerojmë portofolin tonë në Rivierën Shqiptare dhe do të analizojmë mundësitë në më shumë vende, sepse po kërkojmë mundësi për t’u bërë një operator hotelerie lider në Shqipëri, së bashku me partnerët më të mirë të mundshëm që na kanë besuar investimet e tyre dhe zhvillimet turistike”.

Hotelet e markës “Melia” janë destinacioni për miliona pushues nga mbarë bota, e për këtë arsye vendi ynë pritet të ketë gjithnjë e më shumë turistë të huaj.

“Një ndër avantazhet e mëdha të të qenurit operator hotelerie global është se ne kemi një Program Besnikërie me mbi 14 milionë anëtarë në mbarë botën, shumë prej të cilëve janë udhëtarë të shpeshtë që duan të udhëtojnë nëpër botë duke vizituar hotelet tona, kështu që sinqerisht shpresoj që prania ndihmon për të “nxitur” udhëtimet nga tregjet tona kryesore burimore, drejt Shqipërisë. Pra, po, mund të them se do të jemi në gjendje të rrisim ardhjet nga tregje si Anglia, Gjermania dhe vende të tjera evropiane që na kanë besuar për pushimet e tyre për më shumë se 60 vjet”.

Me një përvojë më shumë se 65-vjeçare, standardet që do të sjellë Melia në Shqipëri do të jenë një vlerë e shtuar e turizmit tonë, si në produkte të cilësisë së lartë ashtu edhe në shërbime. Drejtuesit e saj synojnë që ta zgjerojnë më tej në Shqipëri rrjetin e hoteleve.

Tv Klan