Kryeministrja reagon pas miratimit të marrëveshje: Shqipëria është në krah të Italisë
Kuvendi i Shqipërisë miratoi sot me 77 vota pro, marrëveshjen Shqipëri-Itali për emigrantët. Lidhur me këtë ka reaguar edhe Kryeministrja italiane, Giorgia Meloni e cila ka falenderuar kryeministrin Edi Rama, institucionet dhe popullin shqiptar për bashkëpunimin.
“Kuvendi i Shqipërisë ratifikoi sot marrëveshjen e bashkëpunimit me Italinë kundër imigracionit të paligjshëm dhe trafikimit të qenieve njerëzore. Shqipëria është në krah të Italisë. Faleminderit kryeministrit Edi Rama, institucioneve dhe popullit shqiptar për miqësinë dhe bashkëpunimin”, shkruan Meloni në një postim në rrjetet sociale.
Ndërkohë kujtojmë se marrëveshja me shtetin fqinj u nënshkrua më 6 Nëntor në Romë mes kryeministrave. Në një draft paraprak thuhet se në vendin tonë do ngrihet qendra e parë e pritjes së emigrantëve në Shëngjin dhe ajo e akomodimit në Gjadër.
Të dyja strukturat do të ngrihen dhe administrohen nga qeveria italiane, e cila do të mbulojë të gjitha shpenzimet. Kështu emigrantët e shpëtuar në Mesdhe do të ngjiten në bordin e anijeve italiane dhe do të kalojnë filtrin e parë në Shëngjin ku do të tentohet identifikimi dhe më pas do të kryhet verifikimi për gjendjen shëndetësore.
Klan News