Memorandum bashkëpunimi për korridorin e 8-të



Memorandum bashkëpunimi për korridorin e 8-të

15:54 19/10/2021

Bëhen bashkë Shqipëria, Bullgaria dhe Maqedonia e Veriut

Shqipëria, Bullgaria dhe Maqedonia e Veriut nënshkruan këtë të martë në Sofje memorandumin për ndërtimin e një infrastrukturë të qëndrueshme të korridorit 8të, që shtrihet nga Deti Adriatik në Detin e Zi. Pjesëmarrëse në takim ishte ministrja e Infrastrukturës dhe Energjisë Belinda Balluku që e cilësoi këtë projekt shumë të rëndësishëm sa i përket investimeve në transportin hekurudhor, rrugor dhe atij detar.

“Prej kohësh ne kemi punuar për të plotësuar të gjithë komponentët e këtij korridori si një nga korridoret më të rëndësishme për zhvillimet e Ballkanit Perëndimor. Të gjitha projektet që kemi nisur si në fushën e hekurudhave ashtu edhe në atë të rrugëve, por padyshim edhe porti i ri i Durrësit, jemi të sigurt që ky projekt që përfshin të 3 vendeve do të jetë një sukses për të ardhmen”.

Homologët e 3 vendeve u dakortësuan edhe për krijimin e një axhende të përbashkët për të promovuar korridorin e 8-të.

“Kemi dakortësuar sesi së bashku mund të ndikojmë institucionet europiane financiare që të mbështesin projektet tona sidomos atë të hekurudhave si një nga mënyrat e transportit më eficente”.

Pas Sofjes, takimet e radhës do të mbahen në Maqedoninë e Veriut dhe në Tiranë. Korridori 8 është një nga 10 korridoret trans-evropiane që janë konceptuar për të lehtësuar shkëmbimin e mallrave, njerëzve, naftës dhe furnizimeve me energji midis vendeve të BE-së dhe shteteve të Ballkanit.

Tv Klan








Të ngjashme