Pescara do të tentojë edhe një herë elitën e futbollit italian

Ledian Memushaj do të nisë sezonin e pestë me fanellën e Pescara. Mesfushori i Kombëtares, i cili ka mbajtur edhe shiritin e kapitenit tek abrucezët, uron që të kthehet sërish në Serie A me këtë ekip. Megjithatë Memushaj thotë për “Corriere dello Sport” se hapat duhen hedhur të matur.

“Duhet të qëndrojmë me këmbë në tokë, të sigurojmë fillisht qëndrimin në Serie B dhe më pas të shikojmë objektivat e tjerë. Ideale do të ishte ta nisim mirë, si vitin e kaluar”, deklaroi 32-vjeçari, i cili arriti deri në play off në kampionatin e fundit.

Sezoni i fundit i Pescara në Serie A ishte në 2016-2017, ku Ledian Memushaj realizoi edhe 1 gol. Si një nga lojtarët kryesorë të skuadrës, Memushaj është bërë pjesë edhe e spotit të abonimeve për tifozët, ku shfaqet si një roje plazhi që kujdeset për mbështetësit e Pescara.

Tv Klan