Ministria e Punëve të Jashtme ka reaguar për vrasjen e 63-vjeçarit shqiptar Petrit Zifle, ngjarje e ndodhur pak më 25 Nëntor në Korfuz. Në një reagim për mediat, kjo ministri përshëndet kapjen e autorit dhe bën thirrje për hetim të plotë, me qëllim zbardhjen e plotë të ngjarjes.

“Ambasada e Republikës së Shqipërisë në Athinë është njoftuar nga Drejtoria e Përgjithshme e Policisë së Atikës, mbi vrasjen e shtetasit shqiptar Petrit Zifle, i lindur më 03.07.1955 në Shqipëri, banues në qytetin e Beratit dhe së fundmi me banim në Sparteron Korfuz. MEPJ shpreh keqardhjen për humbjen e jetës së shtetasit Petrit Zifle, përshëndet kapjen e autorit nga policia greke dhe bën thirrje për një hetim të plotë në funksion të zbardhjes tërësore të rrethanave të ngjarjes”.

Petrit Zifle u vra nga një 44-vjeçar grek, banor i zonës, i cili u arrestua pak ditë pas vrasjes. Ai pranoi krimin para hetuesve, ndërsa rezulton se është anëtar i partisë naziste “Agimi i Artë”.

Konflikti mes palëve nisi në një lokal të zonës dhe shkak ishte një debat për çështjen e emrit të Maqedonisë mes 44-vjeçarit dhe klientëve të tjerë që ndodheshin në lokal. Në këtë pikë mësohet se ndërhyri edhe Zifle, megjithatë gjithçka u shua pas ndërhyrjes të të pranishmëve.

Por autori nuk e la me kaq. Ai u largua për të marrë armën dhe e vrau 63-vjeçarin duke e qëlluar me çifte dhe duke e hedhur trupin e tij në kanal. Zifle jetonte prej vitesh në Korfuz dhe nuk kishte konflikte me njeri.

/tvklan.al