Në një lidhje në Skype për programin “Rudina”, në Tv Klan këtë pasdite ishte deputetja e Partisë Demokratike Shqiptare në Maqedoninë e Veriut, Meral Uzeiri Ferati. Në profesion është gjinekologe dhe prej 13 vitesh është e martuar me Neritan Ferati.

Ajo u shpreh se ende ka statusin e deputetes dhe pavarësisht se u shpallën zgjedhjet e parakohshme, ato nuk u zhvilluan për shkak të situatës. Kjo është arsyeja që ka një status të padefinuar, që  i vendos disa kufizime ligjore në lidhje me punën.

Rudina Magjistari: Juve shkoni në punë apo jo si gjinekologe, apo jeni në kontakt me nënat e reja që kanë nevojë për një konsult me gjinekologen?

Meral Uzeiri Ferati: Jam më tepër për të dhënë këshilla, sespe ende e kam statusin e deputetes, edhe pse ne i shpallëm zgjedhjet e parakohshme, fatkeqësisht nuk u mbajtën për shkak të gjendjes, duhet të mbaheshin në 12 Prill. Tani për tani kemi një status të padefinuar dhe normal kam kufizime ligjore që nuk mund të shkoj në punë, mirëpo kjo nuk mund të thotë që unë nuk do ta bëj punën time.

Në lidhje më izolimin Ferati shprehet se nuk e ka ngadalësuar ritmin, ka shumë obligime dhe nuk ka aspak kohë të mërzitet.

Meral Uzeiri Ferati: Aspak nuk e kam ngadalësuar ritmin, sigurisht edhe obligimiet në shtëpi janë shtuar, jam edhe detyruar të jem në kontakt me pacientet. Në shtëpi kohën më të madhe e kaloj në kuzhinë, sigurisht nuk kam aspak kohë të mërzitem. Ajo që është më e rëndësishme për momentin, është që të ruajmë shëndetin tonë, të japim këshilla qytetarëve, të gjithë atyre që kanë nevojë që të ruajnë veten dhe mos bien ne kontakt me virusin./tvklan.al