Kampionët nuk bëjnë shumë ndryshime, Hamilton tenton titullin

Mercedes zbuloi makinën e re për sezonin 2021. Skuderia publikoi pamjet e njëvendëshes që do të pilotojnë Lewis Hamilton e Valtteri Bottas. Edhe këtë vit, makina do të jetë thuajse e zezë, ashtu si ajo e sezonit të kaluar, por nuk mungojnë edhe shenja të së shkuarës, si ngjyra e argjendtë.

Makina e re do të quhet “Mercedes AMG F1 W12 E Performance” dhe do të zbresë në pistë më 12-14 Mars, në testet që do të zhvillohen në Bahrein, dy javë para fillimit të botërorit më 28 Mars.

Njëvendëshja gjermane edhe këtë vit pritet të dominojë botërorin e Formula 1. Ky vit ka sjellë disa ndryshime, që mund të kenë ndikim edhe në paraqitjen në pistë. Ka disa ndryshime teknike, që inxhinierët e Mercedes janë munduar t’i adaptojnë sa më mirë. Edhe këtë vit objektivat nuk ndryshojnë, edhe pse nga sezoni në sezon bëhet gjithnjë e më e vështirë.

Hamilton do të kërkojë titullin e tetë kampion bote, duke dashur të thyejë rekordin e Michael Schumacher. Ndërsa Valteri Bottas do të tentojë edhe njëherë tjetër të prishë domonimin e britanikut.

Me pak fjalë, Mercedes mbetet makina për t’u mposhtur.

Klan News