Merita Halili rikthehet me një koncert recital pas më shumë se 20 vjetësh

Posta

Merita Halili rikthehet me një koncert recital pas më shumë se 20 vjetësh

19:21 26/09/2019

Ajo është një nga emrat më të dashur të muzikës popullore qytetare dhe një zë i bukur i Shqipërisë së mesme. Bëhet fjalë pikërisht për këngëtaren e mirënjohur Merita Halili,e cila do të rikthehet me këngë në Tiranë, pas më shumë se 20 vjetësh. Ajo do të japë një koncert recital të sajin, titulluar sipas këngës që e bëri të njohur, “Lule t’bukura ka Tirona”.

Recital i “bilbilit” të Shqipërisë së mesme me Ansamblin Popullor do të mbahet në 27 dhe 28 Shtator, ora 19:00 në Pallatin e Kongreseve. Sot ajo ishte e ftuar në emisionin “Rudina” në Tv Klan së bashku me partnerin e saj në jetë, por edhe në skenë, bashkëshortin Raif Hyseni, i cili do ta shoqërojë së bashku me grupin e Ansamblit të Këngëve dhe Valleve me firzamonikë.

“Tjetër emocion të jep publiku i Tiranës, më ka munguar shumë. Unë do jap maksimumin dhe do jap maksimumin dhe do të shpreh të gjitha vlerat që kanë këngët e mia që janë bërë hit gjatë gjithë këtyre viteve”, tha Merita Halili.

“Ne sa herë vijmë në Shqipëri kemi një kënaqësi shumë të madhe. Është një ngjarje shumë e rëndësishme për Meritën dhe për mua. Pas 20 vitesh aktivitet që kemi pasur në SHBA, vijmë me një eksperiencë tjetër ku do të jemi bashkë me Ansamblin e Shtetit dhe falenderojmë orkestrën dhe muzikantët që kanë bërë një punë fantastike. Është një koncert i veçantë sepse ne nuk bëjmë koncerte shpesh këtu. Është për t’u falënderuar Zana Çela gjithashtu që na ofroi mbështetje sepse ne kemi tentuar edhe më përpara. Besoj që kemi bërë një përzgjedhje shumë të mirë të të gjitha trevave për këtë recital të Meritës”, tha Raif Hyseni. /tvklan.al


Reklama
Grupi
LAJMET

Të ngjashme

Reklama
UKT
Grupi
UKT