Hoti kërkon njohje reciproke. Vuçiç: Shtuan kushte te reja 

Ky takim i organizuar virtualisht në kushtet e pandemisë së Covid-19 i ndërmjetësuar nga presidenti francez Emanuel Macron dhe kancelarja gjermane Angela Merkel shënon rikthimin në dialog pas gati dy vitesh ndërprerje të udhëheqësve të Kosovës dhe Serbisë.

Gjatë video-konferencës, kryeministri i Kosovës Avdullah Hoti përcaktoi 3 parime ku theksohet se integriteti territorial i Kosovës është i panegociueshëm, organizimi territorial i vendit është i pandryshueshëm, ndërsa marrëveshja përfundimtare duhet të jetë në përputhje të plotë me kushtetutën e Kosovës.

“Bazuar në këto parime, marrëveshja përfundimtare duhet të finalizohet me njohje reciporke. Nëse kjo nuk ndodh, marrëveshja si e tillë nuk do të kishte sukses”.

Një tjetër kusht është vendosja e drejtësisë për viktimat e represionit të Millosheviçit në Kosovë. Këto kushte nuk i pëlqyen kreut të shtetit serb, i cili pas takimit foli në Paris për mediat serbe.

“Pala shqiptare doli me kërkesa që i shënuan me kujdes. Nëse ato janë thelbi, atëherë gjithçka është e pakuptimtë”.

Pjesë e video-konferencës ishin edhe përfaqësuesi i lartë i BE-së për Punët e Jashtme Josep Borell dhe i dërguari i posaçëm për Ballkanin Perëndimor, Mirosllav Lajçak.

Më 12 Korrik do të zhvillohet një tjetër samit virtual me ndërmjetësimin e BE-së, ndërsa dy liderët Hoti e Vuçiç do të takohen më 16 Korrik në Bruksel.

Tv Klan