Kancelarja gjermane, Angela Merkel ka nisur vizitën e saj zyrtare në Shqipëri teksa u prit këtë të martë në Pallatin e Brigadave nga kryeministri Edi Rama.

Pritja zyrtare nisi me 10 minuta vonesë, diçka e rrallë për gjermanët që shquhen për korrektesën në orare. Megjithatë raportohet se vonesa mund të ketë ndodhur për shkak se ka dalë jashtë parashikimeve takimi me Xhaçkën në Rinas.

Mesa duket ishte e shkruar që Merkel të vonohej. Në kamera u duk qartë se shoqëruesit kishin vështirësi edhe në hapjen e derës së mjetit ku qëndronte kancelarja.

Që në nisje të takimit të saj me Ramën, Merkel ka zbatuar rregullat e pandemisë, pasi në momentin që kreu i qeverisë Rama i dha dorën, ajo e përshëndeti me një përplasje grushtash. Një situatë kjo që u prit me buzëqeshje nga dy liderët.

Pas këndimit të himneve të dy vendeve, Merkel dhe Rama u takuan me delegacionet përkatëse. Edhe këtu, liderja gjermane i zbatoi korrektësisht rregullat.

Rama dhe Merkel do të kenë një takim kokë më kokë me njëri-tjetrin dhe më pas do të marrin pjesë në takimin mes dy delegacioneve.

Pjesë e axhendës është edhe takimi i liderëve të Ballkanit Perëndimor, me praninë e kryeministrave të Shqipërisë, Kosovës, Serbisë, Maqedonisë së Veriut, Malit të Zi dhe Bosnje Hercegovinës. Vizita 6 orëshe në Tiranë do të mbyllet me konferencë për shtyp të Kancelares dhe Kryeministrit Rama në orën 14:30./tvklan.al