“Ndihmë nëpërmjet strukturave të BE-së”

Krahas vendeve të rajonit dhe disa shteteve europiane, edhe Gjermania do të ndihmojë Shqipërinë për të përballuar gjendjen e emergjencës nga tërmeti i fuqishëm i 26 nëntorit.

Përmes një telegrami ngushëllimi dërguar kryeministrit Rama, publikuar në faqen në internet të zyrës së saj, kancelarja gjermane Angela Merkel shpreh dhimbjen për viktimat, ndërsa premton ndihma nga Gjermania.

“Juve dhe gjithë njerëzve në Shqipëri, të cilët kanë humbur të afërmit për shkak të tërmetit, iu shprehim ngushëllimet tona më të thella. Të lënduarve iu urojmë shërim të shpejtë. Gjermania dhe Bashkimi Europian do t’iu mbështesin në këtë kohë të vështirë”.

Ndihma gjermane për Shqipërinë do të vijë përmes strukturave të Bashkimit Europian për emergjencën, pas kërkesës për ndihmë nga qeveria shqiptare. Deutsche Welle njofton se mes ndihmave të para nga Gjermania është dërgimi drejt Shqipërisë i dy vullnetarëve të Asistencës për Ndihmën Teknike.

Të mërkurën pritet të shkojë në Shqipëri një delegacion i Komisionit të ri të BE-së për biseduar për ndihmën e mëtejshme ndaj Shqipërisë. Ndërsa të hënën, Ambasada e Shqipërisë në Berlin do të hapë dyert për qytetarë dhe institucione  që duan të  shkruajnë diçka në  librin e ngushëllimeve. 

Tv Klan