Rama: Ballkani i hapur është pjelle e procesit të Berlinit

Në të fundit vizitë si Kancelare e Gjermanisë, e përpiktë si Gjermane, Angela Merkel mbërriti në tokën shqiptare fiks në orarin e parashikuar.

Me të njëjtën korrektes delegacioni gjerman mbërriti në Pallatin e Brigadave ku u prit nga Kryeministri Rama. Ekzekutimi I himneve nga 2 krerët e qeverive u ndoq si rrallëherë ulur.

Bisedat ne takimin kokë më kokë, atë mes dy delegacioneve si dhe vetë medalja më e lartë, kordoni i madh me yll që Kryeministri ia akordoi ishin shenjë e mirënjohjes për mbështetjen që Kancelaria i ka dhënë Ballkanit Perëndimor dhe Shqipërisë në mënyrë të posaçme.

Reformat e Shqipërisë që ishin kushte për integrimit Kancelarja i cilëson të përmbushura ndaj dhe ajo vetë shpreh zhgënjimin që nga BE nuk u mbajti premtimi.

“Bashkimi Evropian, do duhej që nga njëra anë të thonë se cilat janë kriteret, cilat janë kushtet për t’u përmbushur për t’u bërë pjesë e BE dhe këtë në rastin e Shqipërisë e kemi thënë qartësisht se çfarë duhet të ndryshojë në sistemin e drejtësisë apo në pikat e tjera, e në momentin që këto kushte plotësohen, do duhej që Bashkimi Euorpian të mbante fjalën e vet dhe jo të nxirrte kushte të tjera, sepse për shkaqe të politikës së brendshme në vende të caktuara, kjo nuk është e mundur. Ne duhet të dimë t’i besojmë njëri-tjetrit”.

Vetë Rama nuk nguron të përsërisë dhe para Merkelit se ka një nacionalizëm europian në këtë proces.

“Kjo që po ndodh sot është pengmarrje e Procesit të Integrimit nga një vlagë nacionalizmi në një vend”.

Këtë takim në Tiranë zonja e hekurt e Europës, e shfrytëzoi për të takuar dhe liderit e tjerë të Ballkanit kryeministrit e Kosovës, Maqedonisë së Veriut, Malit të Zi dhe Bosnje Hercegovinës. Dhe mesazhi që përcolli u duk si mbështetje për “Open Balkan” edhe pse emrin e nismës nuk e artikuloi në fjalën e saj.

“Këtu ka shumë mundësi bashkëpunimi rajonal dhe unë përshëndes në mënyrë shprehimore edhe projektin e Tregut të Përbashkët Rajonal me katër marrëveshjet, sikundër i quajmë. Jo të gjithë janë duke bashkëpunuar në të njëjtin nivel në këto marrëveshje, disa janë tashmë brenda implementimit të tyre, disa të tjerë janë duke u menduar për t’ju bashkuar kësaj iniciative, por sot, ne kemi rënë dakord që sa më shumë të bashkëpunojnë në këtë kontekst, aq më mirë e aq më i fuqishëm do të jetë Procesi i Berlinit. Nëse ju takoheni kjo është e drejta juaj dhe unë këtë e përshëndes vërtetë shprehimisht dhe shpresoj shumë që të vijoni në këtë drejtim. Zemra ime rreh për këtë rajon, edhe pse nuk do të kem mundësinë të vesh të njëjtën detyrë sikundër deri më tani”.

Vetë Rama sqaroi dhe njëherë se çfarë është “Open Balkan” dhe pse Kosova po humbet duke mos u bërë pjesë.

“Open Balkan është pjellë e Procesit të Berlinit, nuk është një alternativë e Procesit të Berlinit, nuk është një nismë në kontradiktë me Procesin e Berlinit. Gjëja tjetër e rëndësishme, që me Kancelaren sot kemi diskutuar bashkë me kolegët, është që teoritë e konspiracionit, “jo po Procesi i Berlinit apo Open Balkan apo nismat rajonale janë të organizuara nga forca të treta, apo janë të hedhura këtu nga Bashkimi Europian, për të na gënjyer ne që ne të krijojmë këtu një mikro BE që të mos na fusin kurrë në BE” – janë dokrra”.

Sepse kishte paragjykimin që nëse ne fusim lëvizjen e lirë të njerëzve si një nga elementët, atëherë lëvizja e lirë mes Kosovës dhe Shqipërisë do të ishte e garantuar dhe faktikisht sot është pabesueshme që Kosova nuk e shfrytëzon këtë për veten e vet, por rri dhe bën teori konspiracioni për “Open Balkan”.

Merkel dhe Rama pranuan se procesi i Berlinit i ndërmarrë në 2014 në 7 vite nuk është dhe ka dhënë rezultate të mëdha, por sipas tyre është i pazëvendësueshëm për rajonin.

“Merkel ndoshta dhe BE-ja nuk është aq i shpejtë sa do duhej në këtë drejtim, por Procesi i Berlinit,  është bërthama e gjithçkaje dhe sigurisht, në këtë kontekst, procesi i Berlinit nuk mund të zëvendësohet, gjërat thjesht mund të përshpejtohen brenda këtij procesi.

Mekanizmat për t’u vënë në lëvizje në funksion të investimeve janë mekanizma të avashtë, por ama, edhe Ballkani i Hapur, që sot ne e kemi si një nismë të tre vendeve që synojnë të përfshijnë të 6 vendet, është rezultat i këtij Procesi, sepse ky Proces na ka dhënë mundësinë që të kuptojmë se nga bashkëpunimi, nga komunikimi, nga ndërveprimi, ne mund të ndërtojmë të ardhmen e përbashkët”.

Por për Edi Ramën, Merkel është ajo që është e pazëvendesueshme në rolin e saj si mbështetëse e rajonit tonë, por me modesti Kancelarja mendon se nuk mungojnë miq e kësaj pjese të Europës.

“Ballkani Perëndimor vitet e fundit ka mësuar të bashkëpunojë me njëri-tjetrin dhe jo vetëm të qëndrojnë ulur me njëri-tjetrin. Nuk ka rëndësi nëse është Sebastian Kurz apo Emmanuel Macron apo Von der Leyen apo Charles Michel, pra, ka shumë miq të Ballkanit Perëndimor”.

“Angela Merkel është një dhe nuk vjen më, që të jemi të qartë, – pavarësisht se e thashë, nuk është asnjëherë e lehtë të flasësh kur është prezente, për arsye të historisë së saj e për arsye të eksperiencës së jashtëzakonshme në katër mandate rresht në krye të lokomotivës së Bashkimit Europian”.

Siç bën me çdo mik të Shqipërisë nuk mungoi dhe ftesa e kryeministrit për Merkelin për të ardhur serish në vendin tonë por kësaj here si turiste për të shijuar diellin e Ballkanit. Ftesë që duket se u mirëprit nga Kancelarja aq më shumë tani që pas zgjedhjeve do të nisë pensionin politik në fund të epokës 16-vjeçare qeverisëse.

Tv Klan