Janë orë intensive këto pas pushimeve verore për kancelaren gjermane, Angela Merkel, e cila nisi turin e saj me Budapestin, vijon sot me Islandën me liderët nordikë dhe të enjten në Francë me liderët e G7.

Në qytetin historik hungarez Sorpon, në krah të kryeministrit Orban, kancelarja tha se Europa do të konsiderohet e bashkuar me të vërtetë vetëm kur Ballkani Perëndimor të jetë pjesë e familjes.

“Nëse i shohim gjërat në mënyrë gjeostrategjike dhe shohim hartën gjithashtu, atëherë mund tu them se nuk do të ketë Europë të bashkuar pa shtetet e Ballkanit Perëndimor”.

Deklaratat e Merkel tregojnë përkushtimin e Berlinit pro zgjerimit të Bashkimit Europian në një kohë që Franca, Holanda e Danimarka janë skeptike.

Ministrat e BE-së kane shtyrë në Tetor diskutimet nëse do të hapin negociatat me Shqipërinë dhe Maqedoninë e Veriut. Mediat gjermane shprehen sot se Shqipëria ka më pak shanse se Maqedonia e Veriut, pasi sipas ‘Der Standart’ Brukseli po derdh shuma të mëdha për projekte të mëdha infrastrukturore në këtë shtet si autostrada drejt Sofjes, terminalet doganore si dhe projekti i kanalizimeve të Shkupit. “Kjo tregon se BE e sheh Maqedoninë e Veriut si vend të shpresës”, shkruan DerStandard.

Sipas gazetës, Shqipëria nuk arriti të thithë asnjë fond në samitin e fundit të përbashkët mes BE dhe Ballkanit Perëndimor.

Ndërkohë shefja në largim e diplomacisë evropiane, Federica Mogherini ka ftuar krerët e diplomacisë së Ballkanit në takimin joformal me homologët e Bashkimit Evropian, në Helsinki me 29–30 Gusht ku pjesëmarrja e Kosovës është kundërshtuar nga Serbia dhe Spanja.

Klan Plus