Rama: Nacionalizmat e BE-së penguan integrimin

Është zhvilluar online samiti i radhës i Berlinit nën drejtimin e kancelares Merkel, në prani të 6 liderëve të vendeve të Ballkanit Perëndimor dhe drejtuesve të larte të Bashkimit Europian. Pas samitit, Merkel e cila merr pjesë për herë të fundit në këtë projekt tha se ka pasur disa arritje si heqja e tarifave të roaming apo korridoret e gjelbra të transportit, ndërsa ka pasur edhe mosarritje siç është lëvizja e lirë vetëm me karta identiteti në rajon. Por në fjalën që ka pasur në samit, kryeministri Rama ishte i drejtpërdrejtë kur foli për pengesat procesin e integrimit.

“Është e trishtë dhe të gjithë e dinë që ndërkohë procesi i integrimit europian të të gjithë rajonit në BE, që dikur shihej dhe tregohej si rruga e duhur për të nënshtruar nacionalizmat ballkanikë, është shndërruar tanimë në një proces që shtypet nga nacionalizmat e BE-së”.

Rama bëri dallimin në investimet për rajonin, kur krahasoi përfitimet për fryme nga Plani i BE nga viti 2021 deri në 2027.

“Në Planin e Bashkimit Europian 2021-2027, Ballkani Perëndimor do të marrë 507 euro për frymë. Pa bërë krahasime me të tjerët, por vetëm duke u krahasuar me Kroacinë, ajo do të marrë 5195 euro, natyrisht të mirëmerituara, për frymë; por ja që është kështu si është”.

Gjithsesi kryeministri i Shqipërisë duke iu drejtuar kancelares gjermane citoi një shprehje të ish-Presidentit të Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Donald Trump, për të siguruar se përpjekjet e vendeve të Ballkanit do të vazhdojnë.

“Ja që, herë aty e herë këtu, nacionalizmat në BE po e ndërlikojnë shumë rrugëtimin tonë europian e po luajnë shumë rolin e kundërt me të. Megjithatë, siç thoshte edhe legjendari Donald Trump, “Është kjo që është”, kësisoj na duhet të ecim përpara me atë çka kemi”.

Procesi i Berlinit ishte një nismë e kancelares gjermane në vitin 2014 për të mbajtur Ballkanin Perëndimor afër BE-së. Në përfundim të samitit, ajo tha se Gjermania do të dhurojë 3 milionë vaksina për rajonin.

Tv Klan