“Duhet të bisedojmë me Francën për të bërë ndryshimet e duhura”

Kancelarja gjermane Angela Merkel thotë se dëshiron konsensus sa më të shpejtë me Francën për reformimin e zgjerimit të Bashkimit Evropian. Pas një takimi me homologun e saj kroat, Andrej Plenkoviç, në Zagreb ajo shprehu mbështetje për nismën e Kroacisë për një samit për Ballkanin Perëndimor. 

“I mbështesim planet e qeverisë kroate për të organizuar një konferencë të përbashkët me vendet e Ballkanit Perëndimor në formatin e plotë Bashkimit Evropian. Dhe do të jetë e rëndësishme që ne të krijojmë kushtet  për fillimin e negociatave me Shqipërinë dhe Maqedoninë e Veriut”.

Duke pasur parasysh propozimin e ri të qeverisë franceze për reformimin e procesit të zgjerimit, kancelarja gjermane thotë se duhet të nisin sa më shpejt bisedimet. 

“Ne tani duhet të bisedojmë me Francën dhe këtë duhet ta bëjmë shumë intensivisht, për të saktësuar elementet që duhen përmirësuar , që duhen ndryshuar, në procesin e  zgjerimit. Jemi të gatshëm të bisedojmë, edhe pse qysh sot kemi një numër të madh mundësish për të qenë fleksibël. Reformimi i zgjerimit duhet t’u ofrojë vendeve të Ballkanit Perëndimor një perspektivë reale anëtarësimi”.

Merkel paralajmëroi se reformimi nuk duhet të ketë si pasojë që BE-ja të tërhiqet nga premtimet e bëra. Kroacia do të jetë kryetare e radhës e BE-së në gjysmën e parë të vitit të ardhshëm, ndërsa Gjermania pas saj. Të dy vendet janë mbështetës të anëtarësimit të vendeve të Ballkanit Perëndimor në BE.

Tv Klan