Takim kokë më kokë me Kryeministrin Rama

Si vizitën e lamtumirës në mbyllje të karrierës së saj politike, që njihet si epoka Merkel pas 16 vitesh në pushtet, kancelarja gjermane ka zgjedhur Beogradin dhe Tiranën. Në kryeqytetin shqiptar Merkel do të mbërrijë të martën. Ajo do të ketë një takim kokë më kokë me kryeministrin Rama e më pas do të marrë pjesë edhe në takimin mes dy delegacioneve.

Vizita afro 6 orëshe në Tiranë do të mbyllet me konferencë për shtyp të kancelares dhe kryeministrit në orën 14:30.

Por përpara mbylljes, pjesë e axhendës është edhe takimi i liderëve të Ballkanit Perëndimor, me praninë e kryeministrave të Shqipërisë, Kosovës, Serbisë, Maqedonisë së Veriut, Malit të Zi dhe Bosnje-Hercegovinës.

Pjesë e diskutimeve do të jetë edhe procesi i Berlinit, i nisur 7 vjet më parë me iniciativën e kancelares. Ai  synonte që veç mbështetjes politike për të përshpejtuar procesin e integrimit europian të këtyre vendeve, të kishte dhe mbështetje financiare për projekte konkrete kryesisht në infrastrukturë. 

Por deri më tani asnjë prej projekteve të miratuara në letër nuk ka nisur të zbatohet.

Vizita në Tiranë dhe në Beograd e Angela Merkel, 2 javë para zgjedhjeve në Gjermani, që do të shënojë me deshirën e saj dhe fundin e jetës politike të kancelares, duket edhe si fundi i procesit të Berlinit, pasi deri më tani asnjë nga liderët aktualë të BE nuk duket ta ketë në axhendën e tij vijimin e këtij procesi.

Tv Klan