Kancelarja gjermane Angela Merkel ka vizituar zonat e përmbytura, teksa ka premtuar ndihmë financiare për zonat që janë përfshirë nga katastrofa natyrore, më e rënda në gjashtë dekadat e fundit.

Merkel eci nëpër fshatin e goditur keq Schuld, duke vrojtuar dëmet dhe duke folur me banorët dhe punonjësit e urgjencës.

Është e tmerrshme. Situata këtu mbetet surreale, nuk di si ta përshkruaj të gjithë këtë. Ne qëndrojmë përkrah jush. Shteti do të veprojë së bashku për t’i rikthyer këtyre zonave bukurinë e dikurshme hap pas hapi. Duhet të bëhemi bashkë në luftën tonë kundër ndryshimit të klimës. Unë besoj se Bashkimi Evropian po punon për këtë. Fakti që ne do të jemi i pari kontinent për të qenë neutral i karbonit nga mesi i shekullit është diçka që ka rëndësi”.

Qeveria gjermane do të përgatisë më shumë se 300 milionë euro ndihmë të menjëhershme dhe miliarda euro për të rregulluar shtëpi, rrugë dhe ura të shembura. Mund të ketë gjithashtu një pagesë 10,000 euro për bizneset e prekura nga ndikimi i përmbytjeve si dhe pandeminë COVID-19.

Përmbytjet përfshinë edhe disa zona në Bavari ku një person humbi jetën. Rrugët u kthyen në lumenj, disa automjete u morën me vete nga rrjedha e fortë e ujit dhe rrëshqitjet e tokës përfshinë një pjesë të madhe të vendit.

Përmbytjet në një pjesë të madhe të Evropës e kanë çuar bilancin në mbi 180. Rreth 110 njerëz kanë humbur jetën në rrethin më të goditur Ahrëeiler në jug të Këlnit. Në Nordrhein-Ëestfalen të paktën 46 njerëz kanë vdekur, ndërsa numri i të vdekurve në Belgjikë mbetet 27.

Qeveria e Belgjikës e shpalli 20 Korrikun një ditë kombëtare zie. Dhjetëra mijëra njerëz kanë mbetur pa energji elektrike dhe autoritetet belge janë shprehur se furnizimi me ujë të pijshëm mbetet gjithashtu një shqetësim i madh. Banorët në rajonet e Gjermanisë dhe Belgjikës kanë filluar tashmë pastrimin e lagjeve të tyre, ndërsa ujërat kanë filluar të tërhiqen. Ndërsa në Holandë, mijëra njerëz janë larguar nga shtëpitë e tyre në provincën Limburg pasi niveli i ujërave filloj të ngrihej.

Shirat e rrëmbyeshëm kanë përfshirë edhe qytetin Hallein, afër Salzburgut teksa lumi Salzach doli nga shtrati. Për fat të mirë askush nuk u raportua i lënduar apo i vdekur. Pjesë të Zvicrës mbetën në gatishmëri nga përmbytjet, por autoritetet kanë bërë të ditur se liqeni i Luzernit dhe lumi Aare i Bernës tanimë janë në nivele normale. 

Klan News