Superliga rikthehet pas 84 ditësh pushim

Më në fund pas 84 ditësh luhet futboll në Shqipëri. Kampionatet profesioniste dhe amatore u pezulluan më 8 Mars me shpalljen e pandemisë së koronavirusit dhe pas shumë hezitimeve dhe dilemave skuadrat do të zbresin pasditen e sotme sërish në stadiume. Rifillohet aty ku u la, me javën e 27. Nuk do të ketë spektatorë në stadiume dhe futbollistët dhe stafet e ekipeve duhet të vazhdojnë të jenë të kujdesshëm për të respektuar masat e sigurisë shëndetësore.

Të gjithë trajnerët e skuadrave të Superligës rikthehen, por duket se çdo gjë ka nisur nga e para, pasi askush nuk di të parashikojë së çfarë do të ndodhë. Dilema dhe frika më e madhe e tyre është se futbollistët mund të pësojnë dëmtime për shkak të sforcimit muskular. Lojtarët kanë afro 3 muaj pa stërvitje dhe mbi të gjitha pa ndeshje dhe fiziku i tyre mund të mos i përgjigjet pritshmërive të zakonshme të një ndeshjeje futbolli.

Një tjetër dilemë është edhe ndeshja Bylis-Tirana. Si do të luhet ky takim pas rezultimit pozitiv me Covid-19 në testin e parë të futbollistit të skuadrës ballshiote, Qardaku. Fillimisht bardheblutë refuzuan të luanin, por pritet që pasditen e sotme të ketë një përballje mes tyre. Në dyshim për të zbritur në stadium kundër Vllaznisë ishte edhe Flamurtari pikërisht prej frikës së infektimit pasi Qardaku është shkodran dhe dyshohej se infeksioni është edhe i pranishëm në qytetin verior.

Me frikë, me dilema dhe me të panjohurën përpara, sot do të riluhet futboll. Priten ndeshje me intensitet të ulët fizik dhe me shumë strategji. Teksa Tirana e ka thuajse të siguruar titullin kampion, disa ekipe të tjera do të garojnë për Europën.

Tv Klan