Ky segment rrugor që lidh Burrelin me Klosin ka qenë tërësisht i amortizuar. Me një trase të dëmtuar dhe pa sinjalistikë. Makthi që ka zgjatur për vite të tëra pritet të marrë fund me investimin që po kryen Ministria e Infrastrukturës për të rehabilituar plotësisht këtë aks 18.6 kilometra të gjatë.

Fillimin e punimeve e ndoqi nga afër ministri i Infrastrukturës dhe Energjisë Damian Gjiknuri.

“Ky investim serioz do ta ndihmojë shumë Bashkinë e Klosit, dhe Bashkia e Klosit ka edhe një fat sepse me përfundimin e rrugës së Arbrit dhe me këtë lidhje të re në drejtim të Burrelit do të jetë një Bashki që do të ketë një akses të jashtëzakonshëm në të gjitha drejtimet e Shqipërisë dhe komuniteti këtu do të ndjejë përfitimet ekonomike”.

Drejtori i Autoritetit Rrugor u shpreh se rruga Burrel – Klos do të përfundojë Pranverën e ardhshme.

“Ky është një aks shumë probematik për shkak të trafikut të rëndë që vjen nga minierat. Me një fond prej gati 3.7 milionë Euro, në një kohë 6 deri në 8 muaj, kjo varet sigurisht edhe në varësi të motit që do të kemi gjatë këtij dimri”.

Ministrja e Mbrojtjes Xhaçka tha se rehabilitimi i rrugës Burrel-Klos vjen pas një tjetër investimi të rëndësishëm që ka ndërmarrë qeveria në këtë qark.

“Mund ta quajmë nëse mundemi viti i Dibrës përsa i takon këtyre investimeve të rëndësishme. Kemi rrugën e Arbrit që po ecën me një ritëm fantastik dhe mesa jam në dijeni unë është hapur 29 km rrugë”.

Rehabilitimi i rrugës Burrel – Klos përfshin shtrimin e shtresave te reja asfaltike në të gjithë gjatësinë e rrugës, vendosjen e sinjalistikës rrugore, masave të sigurisë rrugore etj.

Tv Klan