Një 16-vjeçare iu nënshtrua një operacioni për heqjen e një grumbulli me flokë, të cilat i kishte përtypur për 10 vjet me radhë. Adoleshentja vuante nga sindroma Rapunzel, një gjendje e cila shkakton varësi të përtypjes dhe gëlltitjes së flokëve tek personi që vuan. Të mbledhura në barkun e saj prej 10 vjetësh, flokët e patretura peshonin gjysmë kilogramë.

Sipas asaj që shkruan e përditshmja Mirror, 16-vjeçarja nga Rusia u fut me urgjencë në sallën e operacionit në spitalin e Tomsk të Siberisë. Mjekët thanë se 80 përqind e barkut të vajzës ishte i mbushur me topin me flokë, duke kërcënuar shëndetin e saj.

Fatmirësisht, pas ndërhyrjes së mjekëve gjendja e adoleshentes u stabilizua dhe tashmë raportohet se ajo ndihet shumë më mirë.

Ky është vetëm rasti i dytë i regjistruar në këtë rajon me sindromën Rapunzel në 25 vjet. Mjekët thonë se vajza, emri i së cilës nuk është bërë publik, mund të ketë nevojë për kujdes psikiatrik.

Sipas ekspertëve, trupi i njeriut e ka të pamundur që të tresë flokët, ndaj ato grumbullohen në bark./tvklan.al