Në redaksinë e emisionit “Stop” ka ardhur një denoncim nga Gramshi për qytetarin Hamit Lumshi. Ky i fundit ka aplikuar për një leje riparimi në Zyrën e Urbanistikës Gramsh, por ka ndërtuar një godinë të re pa leje në zonën e Kurorës së Gramshit.

Për këtë problematikë iu drejtuam Bashkisë Gramsh, konkretisht Zyrës së Urbanistikës dhe drejtori, Ali Cohodari,thotë, se nuk ishte në dijeni për një ndërtim të ri, por thjesht për leje riparimi në banesën ekzistuese.

Ai na drejton tek IMT-ja, pasi ajo kontrollon, nëse qytetarët zbatojnë kriteret e lejes së dhënë. Kryeinspektori Alban Rrodhe shprehet, se do ta verifikojë situatën dhe do të marrë masa, nëse është ndërtim pa leje. Sipas tij, objekti do të prishet dhe personi do të ndiqet penalisht.

Gazetarja: Përshëndetje Zoti Rrodhe, si jeni?

Kryeinspektori IMT Gramsh, Alban Rrodhe-Mirë! Si jeni ju?

Gazetarja: Unë jam Odeta nga emisioni “Stop”.

Kryeinspektori Alban Rrodhe-Po!

Gazetarja: Kam ardhur për një problematikë tek zyra juaj, por juve nuk qenkeni këtu.

Kryeinspektori Alban Rrodhe-Jam me leje.

Gazetarja: Mund të konsumoj diçka sepse je shumë kyç tek ky argumenti për të cilin kam ardhur sot.

Kryeinspektori Alban Rrodhe-Në lidhje me?

Gazetarja: Bëhet fjalë për një qytetar, Hamit Lumshi, ka bërë një kërkesë për një leje riparimi dhe ndërkohë ka bërë një ndërtim të ri. Jeni në dijeni ju si IMT e Gramshit?

Kryeinspektori Alban Rrodhe-Me thënë të drejtën, nuk e kam idenë! Unë s’s’s…nuk jam në dijeni të kësaj gjëje!

Gazetarja: Të t’i sjell të dhënat që disponoj, d.m.th. lejen…

Kryeinspektori Alban Rrodhe- Ok, mirë. Dakord.Do i kontrolloj, po s’pati një leje ndërtimi, do marr masat!

Gazetarja: Po nuk ka pra leje ndërtimi, o Zotëri, se leja e ndërtimit merret tek zyra e urbanistikës. Zyra e Urbanistikës më tha që ka marrë leje për riparim.

Kryeinspektori Alban Rrodhe- Atëherë dhe unë do shikoj, se çfarë lejeje dhe unë do shikoj, se çfarë leje i ka dhënë Zyra e Urbanistikës.

Gazetarja: O Zotëri unë ta nisa lejen, lejen ta nisa dhe sapo dola nga zyra e Urbanistikës, më tha nuk…

Kryeinspektori Alban Rrodhe-Të bëj verifikimet edhe do marr masa.

Gazetarja: E sigurt që do flasësh ti pastaj? Sepse po të dalësh tek dritarja e dytë tek korridori, ndërtesa e zotit Lumshi është e dukshme.

Kryeinspektori Alban Rrodhe-Jo, kush tha që do ta lej? Të lutem, të lutem!

Gazetarja: Zoti Rrodhe, këtë rast duhet ta kishit evidentuar vetë.

Kryeinspektori Alban Rrodhe- Jam Kryeinspektor, jam vetëm! Nuk kam asnjë specialist! Të paktën, minimumi duhet të kisha edhe 2 specialistë të tjerë!

Gazetarja: Mjafton të dalësh tek dritarja e dytë e korridorit dhe e shef përballë ndërtimin pa leje, po nejse, çfarë masash do të merrni tani që jua solli “Stop”-i si rast?

Kryeinspektori Alban Rrodhe- Normalisht, po qe se s’ka letra, do ta prish! Në qoftë se është ndërtim i ri.

Gazetarja: Dhe personi në fjalë, i cili ka bërë këtë kundërvajtje?

Kryeinspektori Alban Rrodhe- Do shkojë në ndjekje penale.

Pas kryeinspektorit vumë në dijeni kryetarin e bashkisë së Gramshit Klodian Tace, i cili tha se do të ngrihet një komision dhe personi do të mbajë përgjegjësi ligjore për këtë kundërvajtje penale.

 Gazetarja: Përshëndetje Kryetar, si jeni?

Kryetari Klodian Tace- Alo, përshëndetje! Më fal se isha i zënë dhe nuk mund të flisja dot!

Gazetarja: S’ka gjë. Unë siç u prezantova edhe tek mesazhi jam Odeta, gazetare nga emisioni “Stop”.

Kryetari Klodian Tace-Po Odeta, përshëndetje! Atëherë, personi në fjalë është kundra ligjit dhe sipas legjislacionit, duhet të ndiqet penalisht! Edhe ai ndërtim, në qoftë se është bërë ndërtim pa leje, do prishet patjetër! Unë po them, nesër që në mëngjes strukturat përkatëse atje do të ngrejnë një Komision, ta verifikojnë sipas legjislacionit në fuqi, dhe nuk ka njeri pse të bëjë ndërtim pa leje.

Gazetarja: A nuk do të ishte mirë ta shtonit stafin, që kryeinspektori të mos ishte vetëm?

Kryetari Klodian Tace- Ju kuptoj, por realisht, në një qytet si Gramshi, është e vështirë, që të gjejmë një inxhinier, më kupton?

Gazetarja: E kuptoj, gjithsesi, në të tilla raste duhet besoj edhe një specialist që të evidentojë këto raste besoj në terren.

Kryetari Klodian Tace- Jo, normale.

Gazetarja: Zoti Tace, mbetemi në kontakt për masat që do të merrni ju si bashki e Gramshit. Të përshëndes.

Kryetari Klodian Tace- Shumë faleminderit! Shumë faleminderit! Gjithashtu dhe unë! Mirupafshim!

Por në këtë pikë inspektori i shërbimeve në njësinë administrative Pishaj kontakton gazetaren e “Stop” dhe jep versionin gjenial, se gjithçka është bërë për arsye humanitare, pasi Hamit Lumshi është invalid dhe i pastrehë. Inspektori i shërbimeve jo vetëm që nuk e ka raportuar këtë ndërtim pa leje, por kërkon të manipulojë edhe “Stop”-in për ta mbyllur këtë problematikë. Thua të jetë vërtetë kaq bujare, apo interesa të tjera fshihen pas kësaj?

Inspektori i Shërbimeve- Jam Inspektori i Shërbimeve. Thashë, të trajtohej problemi nga ana sociale, pasi është invalid, është i pastrehë, ka shumë probleme të tjera, që realisht duheshe trajtuar në këtë mënyrë!

Gazetarja: Kuptoj.

Inspektori i Shërbimeve-Do ishte mirë, që të takoheshim! T’i bënim gjërat më…

Gazetarja: Njësia administrative Pishaj nuk ka kompetencë të pajisë me një leje riparimi, këtë e vendos bashkia dhe prandaj nuk erdha tek ju. Megjithatë ju po më thoni ta trajtoj nga ana sociale,

Inspektori i Shërbimeve- Po, po, po.

Gazetarja: Për personat me aftësi të veçanta normalisht që duhet treguar kujdes, por gjithsesi ai mbetet ndërtim pa leje. E kupton Odetën?

Inspektori i Shërbimeve- Nuk e diskutova në këtë anë, a kupton?

Gazetarja: Kryeinspektori Rrodhe nuk kishte informacion për ndërtimin pa leje.

Inspektori i Shërbimeve- Po!

Gazetarja: Normalisht ju duhej ta kishit njoftuar sepse ju jeni syri i parë që jeni aty tek njësia…

Inspektori i Shërbimeve- Po, po, po.

Gazetarja: Sepse ai ishte tek pullë vetëm.

Inspektori i Shërbimeve- Ëhë!

Gazetarja: Pastaj, për anën njerëzore, nëse ju doni ta ndihmoni, unë kam informacion që Bashkia e Gramshit po ndërton një pallat me 40 apartamente dhe mund ta ndihmoni…

Inspektori i Shërbimeve- Nuk është përfitues. Nuk mund të jetë përfitues për arsye të tjera të ligjit. A kupton?

Gazetarja: A, sepse i bie që nuk është i pastrehë?

Inspektori i Shërbimeve- I pastrehë është, por realisht aty janë 20 copë (apartamente), nuk e di sa banesa mund të jenë për…

Gazetarja: Janë 40, 40 apartamente tek pallati i sportit.

Inspektori i Shërbimeve- 40 po, por ma merr mendja mund të jenë ja 200 a më shumë (të pastrehë).

Gazetarja: E kuptoj, por duke qenë se ky është edhe i pastrehë edhe me aftësi të kufizuara. Ta shohim nga ana sociale.

Inspektori i Shërbimeve-Aq më tepër ky, meqenëse ky s’kishte atë mundësi edhe mundësinë e krijoi këto ditë. E kupton?

Gazetarja: Po, me ndërtim pa leje, në kohë pandemie. Nejse, nejse, unë të përshëndes, gjithsesi nëse ke mundësi, tani po të lutem unë nga ana njerëzore, të aplikoni për atë tek ky pallati me 40 apartamente, ndërsa sa i përket ndërtimit pa leje, janë autoritetet që marrin masa. 

Inspektori i Shërbimeve-Po! Po!

Pas interesimit të “Stop”, bashkia e Gramshit nuk vonoi në reagimin e saj duke marrë këto masa.

Kryetari Klodian Tace- Është mbajtur procesverbali i konstatimit, procesverbal nr. 1777/ dt.29.05.2020, konstatim me kundravajtje. Gjithashtu, është mbajtur edhe vendimi i pezullimit të punimeve po atë datë, 29.05.2020. Edhe Hamit Lumshit i është lënë një afat 10 ditor, siç e ka përcaktuar ligji, për çdo dokumentacion, që mund të paraqesë, dhe pas këtij afati 10 ditor, personit i referohet vendim për prishje dhe vendim për dënim me gjobë. Këto të dyja, jua dërgoj dhe me foto, se i kam këtu procesverbalet.

Gazetarja: Në rregull, të përshëndes, gjithë të mirat?

Kryetari Klodian Tace- Ok! Gjithë të mirat! Mirupafshim! /tvklan.al