Liga Profesioniste e Futbollit po merr udhë. Klubet u mblodhën mesditën e të hënës në Federatën Shqiptare të Futbollit për të diskutuar rreth ngritjes së saj brenda sezonit të ardhshëm në Kategorinë Superiore.

“Edicionin e ardhshëm them se do të jetë Liga Profesioniste”, tha Presidenti i Teutës, Edmond Hasanbelliu.

Ndërsa Drejtor i Partizanit, Olsi Rama, nënvizoi se“U gjet një gjuhë e përbashkët, për të pasur një organizim sa më efiçent në të ardhmen.”

Të gjithë janë dakord dhe Liga do të sjellë më shumë përfitime për klubet.

“Të gjitha të drejtat e menaxhimit të aktivitetit të Kategorisë Superiore do t’i ketë Liga”, tha President i FSHF-së, Armand Duka.

Liga Profesioniste e Futbollit zgjodhi edhe kreun e saj që është zv/Presidenti aktual i FSHF-së, Edvin Libohova.

“Liga do të jetë krejtësisht e pavarur, do të jetë një element apo një institucion brenda FSHF-së.”

Ngritja e strukturave të saj do të jetë graduale dhe një pikë e rëndësishme do të jetë votimi në Asamblenë e radhës që do të mbahet brenda 6 muajve të parë të vitit 2019.

Tv Klan