Prokuroria për Krimet e Rënda ka marrë në pyetje katër personat e arrestuar pas bllokimit të 3.4 milionë Euro në dy mjete “Toyota” në Portin e Durrësit në qershor 2018. Shpjegime para prokurorëve për llogari të hetimit kanë dhënë Edi Lika, djali i tij Klevi Lika, shoferi Agim Çekaj dhe Alban Mollaymeri.

Sipas burimeve, të gjithë të dyshuarit kanë mbajtur qëndrim mohues. Ata janë shprehur se nuk kanë pasur dijeni për 3.4 milionët e fshehura në bordin e dy mjeteve “Toyota Yaris”. Të arrestuarit e kësaj dosjeje po hetohen për “pastrim të parave”, “armëmbajtje pa leje” dhe “falsifikim të monedhave” në formën e “grupit të strukturuar kriminal”.

Për këtë çështje janë shpallur në kërkim kushërinjtë, Elvis dhe Alfred Vladi, të dyshuar si porositësit e mjeteve “Toyota Yaris” ku u gjetën eurot./ abcnews.al