Mbrëmjen e kësaj të Premteje Rigersa u ngjit në skenën e “X Factor Albania” në Tv Klan me këngën “My Heart Will Go On” të Celine Dion. Tashmë nuk është çudi që pas çdo performance të Rigersës publiku të çohet në këmbë dhe të brohorasë emrin e saj, njësoj siç u bë dhe sot. Ajo shkëlqeu në skenën e talenteve të rinj dhe tashmë shihet nga juria si një artiste që do të sundojë në skenat e muzikës shqiptare. Adi Krasta u shpreh i kënaqur me interpretimin e saj, por pati një kërkesë. Ai pyeti se cila ishte kënga që Rigersa donte të këndonte vërtet, një këngë që atë e përfaqëson.

“Tani jemi në momentet që nuk është e vështirë që të njohësh Rigersën. Do të kisha sugjeruar që kolegët e mi të produksionit të dëgjonin një herë të vetme ty se çfarë kënge ke dëshirë që ti të këndosh, ti personalisht. Të paktën vetëm një herë unë do të kisha dëshirë të të bëja një pyetje. Jemi afër fundit, ti vetë cila është kënga që do të doje të përfaqësoheshe?”, pyeti Krasta.

Pyetja e tij nuk mori një përgjigje të drejtpërdrejtë nga Rigersa, por nga mentorja e saj Arilena Ara. Ajo sugjeroi që të tilla kritika apo sugjerime të bëheshin në provat gjenerale dhe jo kur artistët dilnin në skenë.

“Do të përgjigjem unë për Rigersën. Rigersa bën çdo natë kalë beteje, çdo natë ka performuar sikur të ishte finale. Dhe do të sugjeroja Adi që mësimoren ta bënim provë gjenerale pse jo dhe këto kritika që ne duam të sugjerojmë t’i bëjmë në provë gjenerale prandaj është prova. Në natën live do të mbahet një prej performancave më të mira,” tha Arilena Ara.

Më tej ajo vazhdoi ndaj Krastës se do ia tregonte se si bëheshe përzgjedhja e këngëve apo përgatitja e artistëve nëse ai do të kishte një skuadër.

“Këtë detyrë do të ta tregoja dhe unë ty po të kishe një skuadër, por fatkeqësisht ti je pa skuadër dhe do të ta tregoja shumë mirë edhe mentorimin se si duhej bërë”, përfundoi prerë këngëtarja./tvklan.al